Ushqimet që Duhet të Shmangni me Patjetër Nëse Vuani nga Koliti

8.9k 0

Koliti ulçeroz është një sëmundje inflamatore që prek zorrët ku shkakton plagë të ndryshme në pjesën e brendshme të tyre.

Koliti shkakton dhimbje, fryrje dhe diare. Sëmundja ka tendencën të përkeqësohet me konsumin e disa ushqimeve specifike, të cilat AgroWeb.org i ka renditur si më poshtë:

Fasulet

Bishtajoret dhe fasulet kanë shumë fibër dhe shkaktojnë fryrje. Ato nuk përbëjnë ushqimin ideal për dikë që vuan nga koliti.

Ekspertët thonë se pavarësisht kësaj, këto ushqime janë të rëndësishme sidomos për vegjetarianët.

Ata rekomandojnë konsumimin e racioneve më të vogla.

Për më tepër, fasulet e konservuara duhen shpëlarë mirë, qiqrat duhen zhveshur nga shtresa e jashtme ose duhen gatuar si pure, duke u transformuar kështu në ushqime më të tolerueshme për sistemin tretës.

Kafeja dhe çaji

Kafeja mund të vështirësojë menaxhimin e simptomave të kolitit. E njëjta gjë vlen edhe për çajin dhe pijet me kafeinë apo ato energjike.

Produktet e bulmetit

Produktet e bulmetit shkaktojnë ose përkeqësojnë simptomat e kolitit. Por kjo nuk do të thotë që duhet të qëndroni larg qumështit.

Ekspertët thonë të pasurit kolit, nuk nënkupton automatikisht intolerancë ndaj laktozës. Kjo e fundit ka shumë të bëjë me sasinë e enzimave të konsumuara të qumështit.

Misri dhe kërpudhat

Misri dhe kërpudhat treten me vështirësi, thonë ekspertët. Pavarësisht intensitetit të përtypjes, misrat sërish arrijnë të shkaktojnë irritim të zorrëve dhe diare në rastet e njerëzve që vuajnë nga koliti.

Ekspertët rekomandojnë shmangien e ushqimeve që treten me vështirësi siç janë misri, kërpudhat, lakra, farat dhe arrorët.

Mishi me dhjamë

Mishi me dhjamë është një produkt që duhet t’i qëndroni larg. Më mirë zgjidhni produkte mishi pa dhjamë sepse ky i fundit arrin të përkeqësojë simptomat.

Qoftet, roleja dhe mishra të tjerë të butë e të gatuar mirë treten më lehtë se bifteku.

Erëzat

Erëzat pluhur apo të bluar hollë mund të jenë pjesë e regjimit tuaj ushqimor pa problem.

Nëse gatuani me erëza ose barishte të freskëta siç janë piperi kokërr ose majdanozi, sigurohuni që t’i grini ose bluani hollë që të jenë më të tolerueshme për stomakun.

Ushqimet kremoze

Salcat e ndryshme dhe majoneza munden që ndonjëherë të shkaktojnë ose nxisin simptomat e kolitit ulçeroz.

Disa njerëz nuk e tolerojnë dot gjalpin e kikirikut për shembull, ndonëse ai është i pasur me yndyrna të shëndetshme.

Çokollata

Sheqeri dhe kafeina, janë dy nga përbërësit dominantë të çokollatës që mund të rrisin problemet tek njerëzit që vuajnë nga koliti.

Nëse ju pëlqen çokollata, mund të konsumoni sasi të vogla të një produkti cilësor, thonë ekspertët.

Alkoli

Alkoli ka një ndikim shumë dimensional tek organizmi. Në përgjithësi ai stimulon zorrët dhe shkakton diare. Megjithatë ju sërish mund ta konsumoni në sasi të vogla.

Disa pacientë kanë më shumë tolerancë ndaj verës së bardhë sesa të kuqes dhe disa të tjerë përjetojnë fryrje nëse pijnë birrë ose pije të tjera.

Ekspertët e AgroWeb.org sugjerojnë që alkolin ta konsumoni gjatë ushqimit dhe jo me stomakun bosh.

Gjithashtu nëse provoni pije të reja, bëjeni këtë në shtëpi.

Arrorët

Arrorët në formën e tyre të plotë shkaktojnë parehati gjatë tretjes dhe në rrugëtimin e tyre në zorrë. Por, në rastet kur nuk jeni alergjikë, nuk duhet të hiqni dorë tërësisht prej tyre.

Bluajini dhe grijini hollë dhe konsumojini në sasi të vogla duke i shoqëruar me produkte të tjera, si salca apo lëngje frutash.

Pijet e gazuara

Pijet e gazuara përmbajnë kafeinë, sheqerna dhe ëmbëlsues artificialë që shtojnë lëvizjet e zorrëve. Bulëzat mund të shkaktojnë kontraktime dhe ndjesinë e fryrjes.

Nëse nuk jeni gati të hiqni dorë prej tyre, kufizojini sasitë që konsumoni dhe mos përdorni pipëz që lejon hyrjen e më shumë bulëzave në stomak.

Qepët

Qepët janë gjithashtu të vështira për t’u tretur. Prjini hollë dhe gatuajini mirë ose mund t’i përdorni për t’i dhënë aromë ushqimeve si supa.

Pas zierjes dhe lëshimit të lëngut, qepën mund ta hiqni nga supa ose gjella./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.