Kungulleshka të Shtruara me Qepë dhe Djathë – Receta me Shije Fantastike

4.4k 0

Nuk ka ushqim më të mirë dhe të shëndetëshëm se sa perimet e freskëta.

Të pasura me vitamina, minerale, shije dhe ngjyra perimet janë mënyra më e mirë për të nisur dhe përfunduar ditën.

Mund t’i konsumoni si lëngje, të pjekura, të ziera, në supë madje disa prej tyre edhe në ëmbëlsira.

Duke mbajtur këtë ndër mend, zgjedhja më e mirë që mund të bëni është t’i keni ato sa më prezente në përditëshmërinë tuaj.

Për këtë arsye AgroWeb.org në recetën e sotëme ju këshillon të provoni tavën me kunguj qepë dhe djathë.

Ky gatim do t’i shtojë shijen e munguar tryezës suaj familjare vetëm me disa hapa të thjeshtë përgatitje.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të gatimit të kësaj recete sipas këshillave të AgroWeb.org.

Përbërësit

  • 6 kungulleshka mesatare
  • 2 qepë të vogla
  • 1 lugë gjelle gjalpë
  • 1 vezë
  • 120 gr salcë kosi
  • 130 gr djathë i grirë kaçkavall
  • 1 lugë çaji kripë
  • piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të ndizni furrën në temperaturën 190 gradë Celsius.

Zgjidhni një tavë me madhësi 25 cm dhe lyejeni me pak gjalp ose vaj.

Ndërkohë në një tigan të thellë në nxehtësi mesatare, shkrini gjalpin dhe në të shtoni qepët e prera hollë.

Lërini qepët të skuqen për rreth 6 minuta, derisa të shikoni që janë zbutur plotësisht.

Prisni në feta të holla rrumbullake kungulleshkat dhe shtojini sërisht tek tigani që ndodhet në zjarr.

Lërini edhe ato të skuqen për 10-12 minuta duke i përizer herë pas here, derisa të jenë skuqur.

Hiqeni më pas tiganin nga zjarri dhe lëreni mënjanë.

Në një enë të thellë hidhni vezën, salcën e kosit, kripën, piperin dhe 50 gr djathë të grirë kaçkavall.

Përziejini mirë me një rrahës elektrik të gjithë këta përbërës, derisa të keni përfituar një masë kompakte të trashë.

Merrni tavën për pjekje dhe në të shtroni kungulleshkat që skuqët më parë.

Kini kujdes që t’i sheshoni me ndihmën e një luge fetat e kungulleshkave, në mënyrë që të qëndrojnë të gjitha të shtrira sipër njëra tjetrës.

Pasi të keni mbaruar këtë, hidhni sipër kremin me salcën e kosit që përgatitët më parë.

Hapeni edhe kremin në të gjithë sipërfaqen e tavës duke e mbuluar atë dhe në fund shtoni pjesën e mbetur të djathit kaçkavall.

Sipas dëshirës mund t’a alternoni djathin, duke e përzier edhe me disa thërrime djathi të bardhë.

Kur tava të jetë gati futeni në furrë dhe lëreni të piqet në temperaturën 190 gradë për 25-30 minuta, derisa të ketë marrë ngjyrë të artë në sipërfaqen e saj.

Më pas mund t’a shërbeni dhe t’a konsumoni pasi të jetë ftohur pak me pjata mishi apo me pak oriz./AgroWeb.org