Amaretat Shumë Ngjyrëshe – Delikatesat e Dashurisë

2.6k 0

Dashamirësit e ëmbëlsirave janë të marrosur pas një delikatese të veçantë me origjinë nga Italia me emrin e patjetërsueshëm Macaron.

Ato janë me formë rrethore dhe shumëngjyrëshe, të buta dhe krokante në të njëjtën kohë.

Duken aq delikate sa nëse do të ishin në Shqipëri një herë e një kohë, amvisat me siguri do i mbanin vetëm për qerasje.

Por tani mund të qerasim edhe veten me një ose më shumë Macaron, madje mund ta gatuajmë vetë në shtëpi.

Emri i ëmbëlsirës delikate të përvetësuar nga Francezët vjen nga Italishtja dhe do të thotë ‘brum delikat.’

Recetat për përgatitjen e këtyre embëlsirave plot kontraste janë të shumta por Italianët i bëjnë ndryshe nga Francezët.

Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga dy biskota krokante.

Në mesin e tyre gjendet një shtresë e shijshme me reçel, krem kakaoje, gjalpë të shkrirë, çokollatë e të tjerë.

Sipërfaqja e tyre është shumë delikate, aq sa ngjan me lëvozhgën e një veze.

Shkërmoqja e biskotave dhe mbushja e tyre e butë ofron një kontrast të fortë dhe një vallëzim shijesh.

Për të provuar një mrekulli të tillë, nuk keni nevojë të shkoni në Paris.

Në AgroWeb.org do të mësoni se si t’i gatuani ëmbëlsirat franceze në kushtet e shtëpisë.

Përbërësit:

  • Një gotë  sheqer pluhur
  • Një gotë me miell bajameje (e gjeni në supermarkete)
  • 2 të bardha vezësh të ruajtura në temperaturë ambienti
  • 1 majë luge me kripë
  • 55 gramë sheqer të bardhë.

Për mbushjen:

  • 150 gramë gjalpë pa kripë
  • 75 gramë sheqer pluhur

Përgatitja:

Amaretat franceze kanë nevojë për një temperaturë të qëndrueshme dhe të ulët.

Nëse temperatura është e lartë, ato do të digjen shpejt.

Nëse temperatura është e ulët, nuk do të bëhen.

Ndizeni furrën në 140 gradë.

Kalojeni sheqerin pluhur dhe miellin e bajames në një sitë dhe hidheni në një tas të madh.

Përziejini së bashku.

Në një tas tjetër rrihni të bardhat e vezë dhe shtoni kripën.

Rrihini deri sa të formohet një masë shkume e butë. Shtoni sheqerin e bardhë ngadalë dhe rrihini deri sa të bardhat janë trashur dhe ngjeshur në një formë të bardhë e të lehtë pendë.

Me kujdes hidheni masën e vezëve të rrahura tek tasi ku keni sheqerin pluhur dhe miellin e bajameve.

Mos u shqetësoni nëse masa do të humbasë dendësinë.

Merrni një qese pastiçerie dhe mbusheni me masën e ëmbëlsirës.

Në një tavë vendosni një letër pjekjeje.

Krijoni amareta të vogla në të gjithë sipërfaqen.

Më pas tundeni tavën për të shmangur bulëzat e ajrit dhe lëreni mënjanë të thahen për 20 minuta.

Sipërfaqja e amaretave do të jetë e butë dhe me shkëlqim.

Piqini amaretat për 7-8 minuta, hapeni furrën që të dalë avulli dhe më pas piqini për 7-8 minuta të tjera.

Do të kuptoni që amaretat janë bërë kur sipërfaqja e tyre do të jetë e fortë dhe ato do të jenë shtuar në madhësi.

Hiqini nga furra dhe transferojini me gjithë shtresën e pjekjes në një sipërfaqe tjetër.

Prisni deri sa të ftohen që t’i lëvizni.

Përgatitja e mbushjes

Rriheni gjalpin (i cili duhet të jetë jo i ngrirë por në temperaturë ambjenti) deri sa të fryhet dhe më pas shtoni sheqerin. Në këtë moment mund të shtoni edhe aroma të tjera sipas preferencës.

Merrni gjysëm luge çaji nga mbushja e përzgjedhur dhe vendoseni hollë në shtresën e amaretës.

Shtresën tjetër vendoseni sipër dhe ngjesheni lehtë.

Ëmbëlsirat mund të hahen menjëherë por nëse i fusni në frigorifer për 24 orë atëherë ato do të bëhen më të shijshme.

Për ëmbëlsira shumëngjyrëshe mund të përdorni ngjyrues.

Për shije tjetër mund të shtoni vanilje tek gjalpi ose aroma me fruta të ndryshme.

Çlirojeni fantazinë e ngjyrave dhe krijoni një ylber ëmbëlsirash për të ndezur shqisat./AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.