Bamje në Tavë me Mish të Grirë, Domate dhe Speca – Mrekulli për Shijen

3.2k 0

Bamjet janë perimet më fantastike, plot shije e të pasura me vlera ushqyese.

Tradita e kuzhinës shqiptare në përgatitjen e bamjeve është e mrekullueshme në shijen që ofron.

Të përgatitura në tavë balte e të pjekura në furrë, gjellë apo edhe supë, bamjet mbeten përherë fantastike në shijen që ofrojnë.

Duke qenë se është një perime, sezoni i të cilës  është në muajt e verës dhe fillim vjeshtës, tani është pikërisht koha për të përgatitur këtë recetë.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e bamjeve me domate dhe mish të grirë, në një nga mënyrat tradicionale.

Përgatitja e Bamjeve me domate dhe mish të grirë  

Përbërësit për 4-5 persona

  • 1.5 kg bamje
  • 2 filxhanë kafeje me vaj ulliri
  • 300 g mish të grirë
  • 2 kokrra qepë
  • 4-5 kokrra domate
  • 1 kokërr patate (sipas preferencës)
  • 2-3 speca
  • Kripë
  • Majdanoz
  • 2-3 filxhanë kafeje me uthull (Nëse preferoni)

Përgatitja 

Bamjet e freskëta pastrohen nga bishti në formë konike, vendosen në ujë me kripë e uthull për 10 minuta.

Fërkohen me duar që t’u largohet pushi, shpëlahen, kalohen në skuqje të lehtë dhe rreshtohen në tenxhere me bishtat anash.

Në vajin e ullirit që ka mbetur, AgroWeb.org ju udhëzon që të kaurdisni qepën e prerë hollë dhe mishin e grirë.

Hidhen specat e prera në copëza të vogla (nëse preferoni shtoni edhe një kokërr patate të prerë në kubikë) e më pas domatet e qëruara nga cipa e të grira hollë dhe vijohet kaurdisja.

Shtohet kripë, pak piper sipas dëshirës dhe nësë dëshiron i akoma dhe më shumë shije, shtoni majdanoz të grirë hollë.

Në fund u hidhet lëng mishi ose ujë dhe zihet derisa gjella të mbetet me pak lëng.

Për të mos i’u prishur forma bamjet gjatë shërbimit kthehen në tepsi duke i përmbysur.

Bamjet mund t’i përgatisni si më sipër dhe t’i vendosni në një tavë në vend të tenxheres duke i futur më pas të piqen në furrë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.