Biskotat janë nga shijet e vogla e të veçanta që mund t’i konsumoni gjatë gjithë ditës.
E sidomos kur ditët janë të gjata dhe të lodhshme, doza e duhur e energjisë mund të vijë nga vetëm një biskotë.
Prandaj në këtë artikull nga AgroWeb.org do ju sugjerojmë të përgatisni më të mirat në këtë aspekt.
Biskotat e mbushura me hurma arabie, të lehta në përgatitje e të pakrahasueshme në shije.
Mësoni në vijim të këtij artikulli mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre dhe shjijojini kudo që jeni.
Përbërësit
- 3 vezë
- 180 gr mjaltë ose 160 gr sheqer
- 160 ml vaj luledielli
- 480 gr miell
- 8 gr fryrës për ëmbëlsira
- 250 gr hurma arabie
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të nisni me brumin e biskotave.
Në një enë shtoni mjaltin dhe 2 vezë të cilat duhet t’i përzieni mirë me anë të një piruni.
Shtoni edhe miellin bashkë me fryrësin dhe vazhdoni të përzieni derisa të formohet brumi.
Më pas kalojeni në një tavolinë pune dhe shtypeni me duar dhe me pak miell që të marrë formë.
Do të keni një topth brumi të butë e pa kokrriza ndërkohë përgatisni hurmat e arabisë.
Hiqni të gjithë farat e tyre dhe vendosini në një mikser bashkë me pak vaj dhe një vezë.
Miksojini të gjitha derisa të formoni një pastë të butë e kompakte.
Më pas merrni brumin, vendoseni në një letër pjekje dhe hapni një petë të madhe.
Në mes të petës shtoni mbushjen që përgatitët me hurma arabie dhe rrotulloni petën bashkë me letrën e pjekjes.
Formoni një cilindër të gjatë dhe më pas priteni në feta të vogla 2-3 cm të trasha.
Bëni gati një tavë të shtruar me letër pjekje, vendosni biskotat një nga një dhe futini të piqen në temperaturë 170 gradë për 15 minuta.
Hiqini nga furra kur të kenë marrë ngjyrë të artë dhe lërini të ftohen paksa para se t’i shijoni./AgroWeb.org