Byrek me Mëlçi dhe Oriz – Receta e Duhur Për Stinët e Ftohta

2.7k 0

Byreku është një recetë e cila vjen nga tradita dhe mund të marrë forma nga më të ndryshmet.

Falë mbushjes së tij, byreku mund të konsumohet sa herë që të dëshironi pasi shija ndryshon plotësisht.

AgroWeb.org sot ju tregon një mbushje pak më impenjative por me shije fantastike.

Bëhet fjalë për byrekun me mëlçi dhe oriz, i cili mund të duket i çuditshëm por ju premtojmë që do t’ia vlejë mundi.

Ndiqni hapat e shpjeguar dhe shijojeni me të dashurit tuaj duke e shoqëruar me sallata apo tarator.

PËRBËRËSIT

  • 300 gr mëlçi
  • 400 gr oriz
  • 300 gr miell
  • 1 kokër qepë të thatë
  • 2 kokrra vezë
  • Nenexhik të thate
  • 4-5 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë

PËRGATITJA

Si fillim përgatisni brumin për petat e byrekut duke e hedhur miellin në një tas bashkë me dy lugë gjelle vaj, ujë dhe pak kripë.

Pasi ta keni punuar mirë brumin, lëreni që të pushojë ndërkohë që përgatisni mbushjen e byrekut.

Mëlçinë priteni në copa të vogla dhe skuqeni me pak vaj ulliri në tigan.

Qepën priteni në kubikë të vegjël dhe skuqeni bashkë me mëlçitë e prera.

Shtoni pak ujë dhe mbulojeni me kapak tiganin në mënyrë që mëlçitë të zbuten dhe të ziejnë.

Më pas e ka radhën orizi, skuqeni lehtë në një tenxhere dhe hidhini ujë të zierë.

Veproni po njësoj si kur përgatisni pilafin e thjeshtë.

PAsi pilafi të jetë gati kalojeni tek tigani me mëlçitë dhe shtoni piperine zi dhe nenexhikun e grirë.

Brumin ndajeni në 8 toptha dhe hapini në formën e petëve.

AgroWebotg ju sugjeron që të lyeni një tavë me vaj dhe aty të shtroni katër petët e para duke i spërkatur me vaj.

Tani e ka radhën mbushja, të cilën sigurohuni që ta përhapni mirë mbi sipërfaqen e petëve.

Në një tas të vogël rrihni vezët dhe hidhini sipër mbushjes e në fund shtroni edhe katër petët e tjera duke i spërkatur po me vaj.

Piqeni byrekun në furrë të ngrohur me 200 gradë Celsius derisa të ketë marrë një ngjyrë të artë./AgroWeb.org