Byrek Shtëpie me Mish të Grirë – Për të Kënaqur Nepsin dhe Oreksin

8.4k 0

Nëse ka një recetë të traditës shqiptare që është e plotë në shije, e me të cilën nuk ngopesh asnjëherë, ajo është receta e byrekut me mish të grirë, qepë dhe domate.

Ky është një gatim i vjetër, i përdorur ndër shekuj, me përbërës shumë të thjeshtë.

I përgatitur me mjeshtërinë e duarve të amvisave shqiptare, byreku  shndërrohet në një pjatë të mrekullueshme, që tërheq shijen e kujtdo që e provon.

Byreku me qepë e domate ashtu si edhe çdo byrek tjetër shqiptar shoqërohet në mënyrë fantastike me supa të lehta, kos apo dhallë, turshi apo sallata të freskëta.

Receta që AgroWeb.org sugjeron më poshtë është ndër recetat tradicionalet shqiptare e cila bashkon gjithë familjen rreth tryezës për të shijuar një ndër byrekët më të shijshëm.

Përgatitja e Byrekut me Mish të Grirë

Përbërësit

 (Për brumin)

  • 500 gr miell
  • Kripë
  • 250 ml ujë i vakur
  •  (Për mbushjen)
  • 2 kokrra qepë
  • 3 kokrra mesatare domate
  • 400 g mish të grirë
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë dhe pak piper

Përgatitja e mbushjes me mish të grirë, qepë e domate

Si fillim grijmë fare hollë qepët. Në një tigan hedhim vajin e ullirin e më pas qepët për t’i skuqur derisa volumi i tyre të bjerë dhe të marrin një ngjyrë të artë.

Në kohën që qepët skuqen hedhim edhe kripën, e nëse dëshirojmë edhe pak piper.

Shtojmë mishin e grirë dhe e skuqim bashkë me qepët.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të grini domatet në copa të vogla. Për t’u hequr me lehtësi lëkurën më parë i futini për pak minuta në ujë të ngrohtë.

I hedhim në tiganin ku kemi skuqur mishin e qepët dhe vijojmë t’i skuqim derisa domatet të treten dhe masa të bëhet në formën e salcës kompakte.

Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Përgatitja e brumit për byrekun

Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.

E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte dhe e ndajmë në dy pjesë të barabarta.

Pjesën e parë të brumit e ndajmë në 10 toptha të vegjël dhe secilin prej topthave nisim t’i hollojmë në petë të vogla.

Të gjitha petat e hapura i vendosim njëra mbi tjetrën duke e spërkatur secilën me disa pika vaj ulliri.

Sigurohemi që petën e fundit të mos e lyejmë me vaj por ta përdorim për të mbuluar petët e tjera.

Më pas, të gjithë petën e krijuar nisim ta hollojmë në përmasat e tepsisë që kemi për petanikun.

Me ndihmën e furçës së kuzhinës, tepsinë e lyejmë me vaj ulliri.

Më pas shtrojmë në petën që kemi holluar duke e puthitur në sipërfaqen e tepsisë.

Hedhim mbushjen me qepë dhe domate mbi petën që kemi shtruar në tepsi.

Edhe për petën e sipërme veprojmë në të njëjtën mënyrë si me petën e parë.

Pasi e kemi hapur e vendosim mbi mbushjen që kemi shtruar, kujdesemi që të bashkojmë mirë anët e të dyja petave.

Byrekun e spërkasim me disa pika vaji ulliri në pjesën e sipërme.

E fusim për ta pjekur në furrë me 200 gradë. Byreku piqet përreth 30 minuta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.