Fiqtë e Rinj – Receta e Glikosë së Rrallë  

2.4k 0

Në tregjet me prodhime vendase vëmendjen ta tërheqin menjëherë arkat me fiqtë e rinj të sapo mbledhur.

Vërtetë ende të papjekur plotësisht, pa ëmblësinë dhe butësinë e tyre klasike, fiqtë e rinj, jeshilë në ngjyrë e pak të fortë nuk janë në kohën për t’i shijuar si fruta por ama është diçka tjetër që i bën ata idealë për t’u blerë menjëherë.

Është receta e përgatitjes së glikosë së fikut.

Të pyetur nga AgroWeb.org, tregtarët u shprehën se i kanë nxjerrë qëllimisht në treg nisur nga kërkesat e shumë zonjave për t’i përgatitur si gliko.

Sipas tyre, kanë vetëm 2 ditë që i kanë nxjerrë në treg dhe pothuajse të gjitha zonjat që dalin e bëjnë pazar blejnë edhe nga 2-3 kilogramë.  Ndërkohë që 1 kg fiq shitet për 150 lekë të reja kilogrami.

Duke se qenë se është pikërisht koha e përgatitjes së kësaj ëmbëlsire magjepsëse, tradicionale shqiptare, AgroWeb.org sjell më poshtë recetën autentike të saj, e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Glikosë me Fiq

Përbërësit

  • 1 kg fiq të rinj
  • 800 – 1 kg sheqer (sasia e sheqerit hidhet në varësi të ëmbëslisë së frutit)
  • 4 filxhan çaji me ujë
  • 1 degë barbarozë për aromë
  • Bajame të bardha aq sa kokrra fiku kemi
  • Lëngu i një gjysmë limoni

Përgatitja

Fiqtë i pastrojmë me ujë të rrjedhshëm, e më pas u presim bishtat me majën e thikës duke hapur një gropëz të vogël.

Në këtë mënyrë, fruti i fikut do të përthithë sherbetin dhe në fund të procesit do të vendosim nga një bajame të bardhë aty.

Fiqtë e pastruar, i hedhim në një tenxhere me ujë të bollshëm dhe i zjejmë për 15 minuta. Më pas i kullojmë nga uji dhe i vendosim në një enë me ujë të ftohtë.

I lëmë në tenxhere për 24 orë duke u ndërruar ujin për rreth tre herë me qëllim largimin e hidhërimit.

Pas këtij procesi, tenxheren me fiqtë e vendosim sërish në zjarr. I lëmë të zjejnë derisa të marrin ngjyrën e tyre të errët nëse do të përdorim fiq të zinj, apo të gjelbër në rast se do përdorim fiq të gjelbër. Sapo të marrin ngjyrë, i heqim nga zjarri.

Më pas, me kujdes nxjerrim fiqtë dhe i shtrydhim ngadalë. Kështu u nxjerrim ujin e tepërt e më pas u vendosim në brendësi nga një bajame të vogël. Në mënyrë që të kullojnë gjithë ujin, i vendosim në një letër kuzhine thithëse.

Përgatitja e Sherbetit

Në vjim, AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni sherbetin duke vendosur në zjarr tenxheren me ujin, lëngun e limonit dhe sheqerin. Përziejini derisa të shkrijë sheqeri.

Lëreni  sherbetin të zjejë për 10 minuta. Shtoni barbarozën dhe fiqtë. Lërini të gjitha bashkë të zjejnë për 15 minuta.

Heqim tenxheren nga zjarri dhe vendosim një pecetë të pastër sipër saj duke e lënë ashtu për 24 orë, derisa fiqtë të thithin lëngun e sherbetit.

Më pas, e vendosim sërish tenxheren në zjarr në mënyrë që sherbeti të trashet. Hedhim lëngun e limonit dhe kontrollojmë fiqtë.

Në rast se kanë zjerë shumë, i nxjerrim me lugë dhe lëmë të zjejë sherbeti derisa të lidhet.

Pasi trashet sherbeti glikoja është gati. Në rast se fiqtë i kemi nxjerrë më parë i bashkojmë me sherbetin e lidhur.

E vendosim masën e ngrohtë në vazot e sterilizuara. I mbyllim me kapak dhe i kthejmë përmbys duke i lënë kështu për 24 orë. Pas kësaj vazot me glikonë i vendosim në frigorifer. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.