Fli me Miell Misri dhe Presh – Receta Fantastike e Sofrave Shqiptare

3k 0

Flija është një specialitet tradicional i kuzhinës shqiptare, gatim tipik i Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës kryesisht.

Nëse jemi mësuar me recetën tipike atë të përgatitjes së flisë me miell gruri, një tjetër recetë po aq popullore e zonave veriore të vendit është flija e përgatitur me miell misri, presh, gjizë dhe mazë.

Një shije fantastike e kombinuar në mënyrë të shkëlqyer me të gjithë përbërësit e që shoqërohet me më të mirat e zahireve shqiptare, siç janë turshitë, djathrat e ndryshëm, speca të pjekura, kos apo dhallë të freskët por edhe sallata të freskëta të stinës.

Pavarësisht se tradita e do që flija të piqet në saç gjatë përgatitjes, ajo shijon në mënyrë fantastike dhe e pjekur në furrë në shtëpi.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së flisë me miell misri dhe presh, një gatim ideal i cili padyshim do të mbledhë gjithë familjen rreth tryezës.

Përgatitja e Flisë me Miell Misri dhe Presh

Përbërësit  

  • 1 kg e 500 gr miell misri
  • 1 litër ujë
  • 1 lugë gjelle kripë
  • 300 gr mazë (ajkë qumështi/e gjeni në supermarket)
  • 250 gr. gjalpë
  • 500 gr presh
  • 200 gr gjizë

Përgatitja

Si fillim vendosni më shumë se gjysmën e ujit të nxehet në zjarr dhe më pas nisni përgatitjen e brumit.

AgroWeb.org ju udhëzon që në një enë të madhe të shtoni miellin e misrit të situr hollë dhe kripën.

Më pas, mielli i misrit përvëlohet me ujin e nxehtë. Përziejeni me një lugë druri sa mielli të përthithë ujin dhe vijoni të holloni brumi duke shtuar ngadalë pjesën e ujit të ftohtë që ka mbetur.

Masën përzjeheni vazhdimisht me lugë druri ose edhe në mikser.

Trashësia e brumit duhet të jetë njëlloj me atë të brumit siç përgatitet flija me miell gruri, më i hollë se i petullave.

Ndërkohë që në një tas bashkoni preshin e zier me gjizën.

Lyejeni tepsinë me gjalpë. Shtroni një apo dy garuzhde nga masa e brumit dhe shtrijeni në të gjithë sipërfaqen e tepsisë.

Spërkateni me gjalpë të shkrirë dhe mazë dhe vijoni kështu derisa të shtroni gjysmën e brumit.

Më pas shtroni masën e preshit me gjizë dhe vijoni të shtroni pjesën tjetër të brumit duke e spërkatur me gjalpë dhe mazë secilën shtresë deri në fund.

Futeni në furrë të parangrohur me 200 gradë dhe lëreni të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë në të kuqërremtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.