Fokaçe me Kungulleshka – Receta me Shijen e Mrekullueshme

1.4k 0

Aroma e fokaçes së ngrohtë ndihet me kilometra larg!

Një gatim me bazë brumi i cili ka një shije marramendëse në të gjithë versionet e tij.

Mund ta keni provuar me recetën klasike me vaj ulliri dhe rozmarinë, apo atë plot shije me domate, gjithsesi fokaçja mbetet e preferuara e familjes.

AgroWeb.org sot ju tregon hap pas hapi përgatitjen e e fokaçes me kungulleshka, duke qenë se tani janë edhe në sezon.

Fetat e kungulleshkave do të shihni që do t’i japim një aromë dhe shije krejtësisht të veçantë duke e kthyer fokaçen në pjatën kryesore të tryezës.

Përbërësit për brumin e ardhur

  • 100g miell
  • 1g maja e njomë
  • 100ml ujë

Përbërësit për brumin

  • 400g miell
  • 10g kripë
  • 20ml vaj ulliri
  • 200ml ujë
  • 4g maja të njomë

Përbërësit për mbushjen

  • 100g kungulleshka
  • Kripë
  • Piper të zi
  • 10ml vaj ulliri

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë të shijshme duhet që në fillim të përgatisni brumin e ardhur.

Në një tas përzieni miellin, majanë dhe ujin e përshkruar në recetë.

Punojeni lehtë me një lugë derisa të formoni një brumë të hollë që i ngjason një mase kremoze.

Këtë brumë duhet ta lini të pushojë për 12 orë, ndaj dhe AgroWeb.org ju këshillon që ta përgatisni që në darkë.

Kur brumi i ardhur të jetë gati kalojeni në një tas më të madh.

Aty shtoni ujin, majanë, miellin, kripën, vajin e ullirit dhe nisni ta punoni me duar.

Kur të shihni që përbërësit janë lidhur, AgroWeb.org ju sugjeron që brumin ta kaloni në sipërfaqen e tavolinës suaj.

Punojeni lehtë duke mos i shtuar miell, pasi brumi duhet të ketë pak lagështirë.

Kalojeni brumin në një tas dhe mbulojeni me qese kuzhine për ta lënë të pushojë për 3 orë.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur punojeni lehtë brumin dhe vendoseni në një tavë të spërkatur me vaj.

Lyeni sipërfaqen e tij me vaj ulliri dhe vendosni fetat e grira të kungulleshkave duke i shtypur lehtë.

Spërkateni me piper të zi dhe pak kripë për shije dhe piqeni në furrë me 200 gradë për 25-30 minuta./AgroWeb.org