Kek Shtëpie me Kakao – Shije e Lehtë, e Ëmbël

20.2k 0

Një ëmbëlsirë fantastike, e thjeshtë në përgatitje dhe e shpejtë në kohë.

Me shije të lehtë por të mrekullueshme keku i shtëpisë me kakao mahnit këdo që e provon.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e përgatitjes së kekut me kakao.

Kjo ëmbëlsirë e lehtë mund të kombinohet me akullore, fruta të ndryshme dhe mund të shoqërohet me kafe apo edhe çaj.

Ky kek është një alternativë e shkëlqyer edhe për ta konsumuar në mëngjes.

Mjafton të ndiqni hapat e thjeshtë nga AgroWeb.org dhe do të përgatisni një ëmbëlsirë të mrekullueshme që sigurisht do dëshironi ta përgatisni sërish.

Përgatitja e Kekut me Kakao

Përbërësit

  • 2 gota uji me miell gruri
  • 2 kokrra vezë
  • 1 gotë uji sheqer
  • 2 lugë gjelle me kakao
  • 50 gr copëza çokollate
  • 2 filxhan kafeje kos
  • 2 filxhanë kafeje gjalpë të tretur  (për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit, madje edhe në rastin e ëmbëlsirave)
  • ½ e lugës së kafesë me sodë buke
  • 1 filxhan kafeje me arra të thërrmuara (sipas preferencës)
  • Një lugë sheqer pudër

Përgatitja 

Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon që në një tas të rrihni vezët me sheqerin.

Në vijim shtoni kosin, gjalpin e tretur, kakaon, çokollatën e shkrirë (copat e çokollatë vendosini në një tigan të vogël në zjarr derisa masa të shkrijë),arrat e thërrmuara.

E gjithë masa përzihet mirë.

Më pas, sitet mielli, përzihet me pak sodë buke dhe i hidhet masës së përgatitur.

Brumi nuk duhet të rrihet shumë që të mos bëhet elastik.

Pastaj hidhet në një formë keku apo tepsi të lyer më parë me pak vaj dhe të pudrosur me miell.

Piqet në furrë përreth 35-40 minuta në 180 gradë.

Lihet të ftohet pak, hiqet nga tava dhe sipër i hidhet sheqer pudër por edhe pak kakao pudër nëse preferoni.

Gjatë përgatitjes së kekut vetëm një pjesë e tij mund të përzihet sipas preferencës me kakao dhe i hidhet sipër, kurse pjesa tjetër lihet e bardhë./AgroWeb.org