Mish Viçi me Qumësht – Mënyra e Përgatitjes Plot Shije

4.4k 0

Mishi i viçit është një produkt që përdoret shpesh në kuzhinën e amvisave shqiptare.

Duke qenë se përmban një sasi të lartë vlerash ushqimore, mishi shndërron çdo pjatë në një burim energjie.

AgroWeb.org ju sjell një recetë të veçantë të përgatitjes së tij, e kështu ju mund të provoni diçka të shijshme e të shëndetshme.

Mishi i viçit i përgatitur me qumësht, është një recetë që mund të qëndrojë dhe si pjatë më vete, por dhe mund të kombinohet me gatime të tjera.

Përbërësit

  • 1 kg mish viçi i ndarë në copa të vogla
  • 4 lugë vaj ulliri
  • 2 thelpinj hudhër të grirë
  • 2 lugë majdanoz i grirë
  • Piper i bluar
  • Kripë
  • 1 gotë qumësht
  • Gjysmë gote me lëng mishi

Përgatitja

Si fillim pastroni copat e mishit në mënyrë që të mos kenë dhjamëra.

Në një tenxhere të thellë AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni vajin e ullirit dhe thelpinjtë e hudhrës.

Këtë tenxhere vendoseni në zjarr të avashtë, në mënyrë që vaji të mos digjet.

Pasi të keni shpëlarë copat e mishit, shtojini në tenxhere për t’u skuqur lehtë.

AgroWeb.org ju sugjeron që të mos i shtoni ujë, pasi mishi duhet të ziejë me lëngun e tij.

Marinojeni me kripë dhe piper, sasia e të cilëve është sipas dëshirës.

Kur mishi të ketë marrë pak shije, shtoni qumështin dhe lëngun e mishit, në pamundësi të së cilit mund të përdorni edhe thjesht ujë.

Diçka e tillë do ta lejojë mishin të përthithë erëzat që nevojiten në recetë.

Kini kujdes pasi copat e mishit nuk duhen të mbulohen nga lëngu i tyre.

Mbulojeni pjesërisht me kapak dhe ziejeni në zjarr të ngadaltë, duke e përzierë shpesh, pasi qumështi tenton të ngjitet.

Kur salca të jetë mpiksur, do të jetë formuar një krem i dendur, në këtë moment shtoni majdanozin e grirë hollë.

Shërbeheni të ngrohtë në një pjatancë duke e spërkatur me hudhra të shtypura.

Kjo pjatë është perfekte për ta shoqëruar me oriz, sallata me perime të stinës si dhe me perime të pjekura në furrë. /AgroWeb.org