Musaka me Patate – Shije Tradicionale në Tryezë

9.8k 0

Një gatim special, i veçantë me shije të mrekullueshme dhe ideal për një vakt dreke por edhe darke.

Musakaja është përgatitur jetë e mot nga nënat e gjyshet shqiptare, traditë sidomos në zonat e jugut të vendit.

Shije plotë dhe e kombinuar në mënyrë perfekte me më të mirat e kuzhinës. Patatet e përgatitura me kimën e mrekullueshme të amvisave shqiptare janë padyshim ndër gatimet më të shijshme.

Një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen apo për ta gatuar edhe në raste të veçanta kur shtëpinë e vizitojnë miq e mysafirë.

Musakaja me patate shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme, salcë kosi apo edhe bukë të thekur.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e musakasë me patate në shtëpi.

Përgatitja e Musakasë Në Shtëpi  

Përbërësit

(Për një tepsi mesatare)

  • 8-10 kokrra patate mesatare (1.5 kg)
  • 1 filxhan çaji vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë mesatare
  • 1 filxhan çaji mish i grirë
  • 2 kokrra domate mesatare ose 1 lugë gjelle salcë
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz

Për salcën beshamel duhen

  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2-3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 1 lugë gjelle gjalpë për spërkatje
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja

Për gatimin e musakasë zgjidhen patate të mëdha. Patatet e pastruara priten në feta dhe vendosen në një tavë.

Pasi spërkaten me vaj, tava futet në furrë. Patatet lihen të piqen, sa të skuqen lehtë.

Përgatitet kima: Kaurdisen qepët me mish të grirë. Hidhet salcë, kripë, piper dhe dafinë.

Në një tepsi të lyer me vaj ulliri dhe galetë (bukë hekur të grirë hollë në rende), vendoset një shtresë patatesh. Fundi i tepsisë mbulohet mirë, që të mos dalë kima. I vendosim patatet mbi njëra – tjetrën.

Më pas, vendosim një shtresë kimë, përsipër patate e përsëri një shtresë kimë.

Sipër duhet të vendoset shtresa e patateve.

Hidhet salcë beshamel, e cila sheshohet me ndihmën e një luge të lagur me qumësht ose gjalpë. Shtohet djathë kaçkavall i grirë dhe pak gjalpë.

E fusim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.