Musaka me Spinaq dhe Mish të Grirë – Ngrohtësi dhe Aromë në Shtëpi

2.9k 0

Musakaja është një recetë që është përdorur për vite të tëra edhe nga amvisat shqiptare.

Sigurisht receta e saj klasike është ose me patëllxhanë ose me patate.

Por me kalimin e kohës receta e musakasë është pasuruar, duke u përgatitur me perime të ndryshme.

Por duke qenë se spinaqi është një nga barishtet me më shumë vlera dhe që tani është nëpër tregje.

AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni musakanë e përgatitur me spinaq për shije dhe vlera në vetëm një pjatë.

Përbërësit

  • 3-4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 600 g spinaq
  • 3 gota me ujë
  • 400 g mish i grirë
  • Gjysmë qepe
  • 1 karrotë e grirë imët
  • 2-3 thelpinj hudhër
  • Gjysmë gote me oriz
  • Kripë
  • Piper i zi dhe i kuq
  • Për salcën beshamel
  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja

AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni përgatitjen e recetës duke qëruar qepën dhe karrotën.

Për t’i grirë përdorni rende, pasi bëhen më të imëta dhe treten mirë me perimet e tjera.

Në një tenxhere hidhni vajin dhe skuqni qepën derisa të ulet volumi i saj.

Pasi qepa të jetë skuqur, shtoni karrotën e më pas mishin e grirë.

AgroWeb.org ju këshillon që të hidhni erëzat e në fund orizin.

Mos harroni që ta përzieni herë pas here masën që përbërësit të mos ngjiten.

Hidhni 3 gota me ujë përzjejeni dhe kur uji të fillojë të vlojë shtoni spinaqin.

Mbulojeni me kapak tenxheren dhe lëreni 10 minuta që lëngu të ketë avulluar pothuaj i gjithi.

Shtrojeni masën në një tavë dhe ndërkohë që ajo ftohet AgroWeb.org ju sugjeron që të përgatisni salcën beshamel.

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Hidheni këtë salcë mbi spinaqin dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Piqeni musakanë për 15-20 minuta në furrë të ngrohur më parë me 250 gradë.

Pasi të jetë pjekur, largojeni nga furra dhe lëreni pak që të mpikset.

Shërbejeni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallatë me perime te freskëta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.