Tasqebapi i Ngrohtë me Mish Qengji – Si ta Përgatisni në Shtëpi

2.3k 0

Mishi i butë si pambuk që shkëputet direkt nga kocka. Lëngu më i shijshëm që do të provoni i cili i jep aromën karakteristike pjatës.

Të gatuara me zjarr të ngadaltë, kofshët e qengjit përgatiten ashtu siç duhen dhe kthehen në një pjatë fantastike.

Themi zjarr të ngadaltë, pasi aty qëndron i gjithë sekreti për të zbukur mishin e kofshëve të qengjit.

Nga ana tjetër erëzat dhe perimet e përdorura i japin dhe një aromë që do të mbushë kuzhinën tuaj e do të ftojë në tryezë që të gjithë familjarët tuaj.

Tasqebapi shoqërohet në mënyrë fantastike me një shumëllojshmëri gatimesh të tjera tipike shqiptare, duke nisur nga pilafi, sallatat e freskëta të çdo stine apo edhe bukë të thekur të marinuar me vaj ulliri e pak kripë.

Por për një shije edhe më të mrekullueshme ai shijon shumë sigurisht me zahiretë e famshme të kuzhinës sonë, sidomos me turshitë e përgatitura nga amvisat shqiptare.

Sipas dëshirës, mund të shoqërohet dhe me garniture perimesh, në mënyrë të veçantë shkon me pure patatesh ose patate të ziera.

Tasqebapi Me Mish Qengji

(Përbërësit e kësaj recete janë për 4-5 persona)

  • 500 gr mish qengji (përzgjidhni kofshët e qengjit)
  • 2-3 kokrra qepë
  • 4-5 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle me miell
  • gjysmë filxhan çaji me verë
  • 1 gjethe dafine
  • gjysmë lugë gjelle me salcë ose 2-3 kokrra domate mesatare
  • 3-4 thelpinj hudhra
  • kripë dhe pak spec i kuq

Përgatitja

Mishi skuqet në yndyrë së bashku me qepët e prera fije-fije, derisa t’i avullojë uji dhe krijohet një shtresë e kuqe.

Shtohet mielli, skuqet edhe pak, shuhet me verë, hidhet salcë domatesh, gjethe dafine, disa thelbinj hudhër, kripë dhe ujë sa të mbulohet mishi.

Lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë, derisa gjella të jetë gati.

Tasqebapi shoqërohet me salcën e vet./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.