Patate me Lulelakër – Tava e Shijshme e Dimrit

3.5k 0

Shkrimtari i njohur Mark Tuejn e ka përshkruar lulelakrën si “lakra me diplomë”

Duke iu përmbajtur këtij përshkrimi, lulelakra është një nga perimet më të fuqishme që e ndihmon njeriun të mbajë larg sëmundje kronike.

Lulelakra është e pasur me antioksidantë që i bëjnë mirë zemrës dhe shëndetit të trurit.

Ngrënia e lulelakrës i jep organizmit sasi domethënëse të vitaminës C, K, beta karotenit dhe substance mirëbërëse për tretjen dhe detoksifikimin.

Lulelakra është një perime që nuk njeh stinë, por me ardhjen e dimrit ajo ka tendencën të rishfaqet më fort në tryezat tona.

Recetat e gatimit me bazë lulelakre janë të larmishme dhe shumë të preferuara nga lexuesit e AgroWeb.org

Receta e re që do të gjeni në këtë artikull e bashkon lulelakrën në një tavë me patatet.

Ky gatim i shijshëm është i lehtë, i pasur në vlera dhe ushqyes.

Përbërësit:

1 patate e prerë në copa

1 lulelakër e copëtuar

2 lugë çaji me vaj ulliri

1 filxhan çaji me copa preshi

1 lugë gjelle me thelpinj të grirë hudhre.

Çerek filxhani çaji me miell

Një filxhan çaji me qumësht të skremuar

1 filxhan çaji me lëng të mishit të pulës

2 lugë gjelle me trumëz të freskët

Një majë luge çaji me kripë

Një majë luge çaji me piper të zi

Gjysëm filxhani çaji me djathë kaçkavall të grirë

2 lugë gjelle majdanoz

Përgatitja:

Zieni ujë në një tenxhere dhe pasi të ketë marrë valë shtoni patatet dhe lulelakrën.

Të dyja perimet nuk duhen zier plotësisht ndaj ziejini pak, kullojini dhe lërini të ftohen mënjanë.

Në një tenxhere tjetër kavërdisni hudhrën dhe preshin dhe më pas shtoni miellin.

Përziejini mirë dhe pasi të preshi të jetë zbutur shtoni qumështin dhe lëngun e pulës.

Lërini të marrin një valë dhe përziejini rregullisht.

Shtoni trumzën, kripën dhe piperin e zi.

Lyeni tavën me pak yndyrë dhe hidhni në të patatet dhe lulelakrën.

Hidhni sipër tyre masën e preshit me qumësht dhe lëng pule si dhe djathin.

Mbulojeni tavën me letër kuzhine dhe futeni në furrë.

Piqeni për 20 minuta dhe më pas hiqeni letrën e kuzhinës dhe fikeni furrën.

Lëreni tavën të marrë një ngjyrë të kuqerremtë dhe zbukurojeni me majdanoz.

Ju bëftë mirë!/AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.