Patate të Pjekura me Qumësht për Shije dhe Shëndet të Mirë

3.4k 0

Të gjithë kemi gatuar e provuar tavën me patate.

Mënyrat e përgatitjes janë nga më të larmishmet, nga tava me patate e pjekur me pulë, me mish të grirë e deri tek ajo me perime të stinës.

Patatja gjithmonë ka qenë e pazëvëndësueshme në recetat tradicionale të kuzhinës shqiptare.

AgroWeb.org ju sjell sot një recetë të veçantë dhe shumë të thjeshtë.

Për këtë gatim ju duhen vetëm pak përbërës, por shija që do të krijohet është e parezistueshme.

Patate të Pjekura me Qumësht

Përbërësit 4-5 persona

  • 5-6 patate mesatare
  • 4 gota me qumësht
  • 2 lugë me vaj ulliri
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • 2 lugë gjelle ajkë qumështi
  • 2 lugë gjelle me thërrime djathi
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Si fillim shpëlani patatet me ujë të bollshëm, më pas qëroni lëkurat dhe vendosini në një tas më ujë.

Në një tavë hidhni pak nga vaji i ullirit, kështu të gjitha patatet do të marrin shijen e dëshiruar.

Patatet duhet t’i prisni në rrathë jo shumë të hollë, dhe shtrojini në tavë.

AgroWeb.org ju sugjeron që pas çdo shtrese me patate hidhni pak kripë, piper, hudhra të shtypura dhe ajkë qumështi.

Ajka e qumështit do të shërbejë njësoj si gjalpi, por duke i dhënë recetës një shije akoma dhe më të mirë.

Pasi të keni mbaruar me patatet, në një tas të madh hidhni katër gotat e qumështit dhe djathin i trazoni pak sa të përzihen mirë.

Masën e formuar hidhjani tavës me patate, të cilat duhet të jenë të zhytura plotësisht në qumësht.

Këtë tavë e vendosim në furrë për t’u pjekur me 220-250 gradë.

Si fillim e vendosim për t’u pjekur nga poshtë, më pas kur të ketë marrë një ngjyrë të artë, e vendosim për t’u pjekur dhe lartë.

Patatet do të piqen me qumështin duke marrë një aromë e shije fantastike.

Këtë recetë mund ta shoqëroni me sallatë jeshile apo me domate dhe kastravecë.

Dhe nëse dëshironi që të përgatisni një drekë apo darkë të veçantë për të dashurit tuaj mund të shoqërohet fare lehtë dhe me qofte shtëpie./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.