Patate të Shtruara Furre me Mish të Grirë – Receta Plot Shije e Shtëpisë

6.3k 0

Siç edhe kemi përmendur në shumë artikuj të tjerë nga AgroWeb.org, patatja është një nga perimet më të përdorura të kuzhinës.

Me shumë kombinime ndër kuzhinat botërore, patatja është një nga mënyrat më të mira për të shtruar një vakt.

E pasur me vitamina, vlera për organizmin dhe plot shije për oreksin, me siguri që patatet janë të preferuara edhe për ju.

Në recetën e sotme nga AgroWeb.org do të gjeni një mënyrë të re dhe të shijshme të përgatitjes së tyre.

Patatet e shtruara të furrës me mish të grirë dhe qumësht do të kthehen shumë shpejt në gatimin tuaj më të dashur.

Ndiqeni më poshtë përgatitjen e kësaj tave të mrekullueshme që kërkon shumë pak përbërës.

Përbërësit

  • 1.5 kg patate
  • 500 gr mish të grirë
  • 300 ml ujë
  • 250 ml qumësht ose kos
  • 3 vezë
  • 1 qepë
  • vaj ulliri
  • kripë
  • piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të filloni me prerjen e qepës në fije të holla.

Më pas hidheni atë në një tigan bashke me pak vaj ulliri, duke e lënë të skuqet për disa minuta.

Derisa të shikoni që është zbutur plotësisht dhe në fund shtoni edhe mishin e grirë.

Shtoni sipas dëshirës kripë, piper të zi apo erëza të tjera që ju dëshironi.

Ndërkohë që mishi skuqet, prisni patatet në feta të holla rrumbullake me trashësi deri ne 3-4 cm.

Ndajini fetat e patateve përgjysmë në mënyrë të barabartë dhe gjysmat e tyre shtrojini njëra pas tjetrës në një tavë mesatare të lyer me pak vaj.

Më pas kur mishi të ketë marrë pak ngjyrë, shtrojeni me kujdes sipër patateve duke e përhapur nëpër të gjithë sipërfaqen e tyre.

Vendosni sipër përsëri fetat e tjera të patateve ngjitur me njëra tjetrën, derisa të mbulohet i gjithë mishi i grirë.

Në fund shtoni pak vaj ulliri, kripë dhe ujin brenda në tavë e më pas mund ta piqni për 30-40 minuta në temperaturë 250 gradë.

Pasi të ketë kaluar kjo kohë, nxirreni tavën nga furra dhe hidhini sipër vezët e rrahura me qumësht ose kos.

Mbulojeni tavën tërësisht me këtë përzierje dhe futeni në furrë edhe për 10 minuta të tjera.

Kur të shikoni që sipërfaqja ka marrë një ngjyrë të artë, nxirreni tavën nga furra dhe shërbejini patatet tuaja të ngrohta./AgroWeb.org