Përpeq me Djathë dhe Ajkë Qumështi i Pjekur në Gjalpë

4.8k 0

Shumë e njohin si lloj byreku e të tjerë një formë piteje, por ajo për të cilën të gjithë bien dakord është shija fantastike që ka kjo recetë.

Përpeqi është një gatim tradite i cili përgatitet shpesh gjatë stinëve kur koha fillon e freskohet.

I mbushur me ajkë qumështi dhe i pjekur në gjalpë, përpeqi është një pjatë e plotë dhe me një shije unike që ia vlen të provohet.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën më të shpejtë të përgatitjes së tij që të mund ta shijoni sa herë që të dëshironi.

Përbërësit:

  • 4 petë të gatshme apo që i keni përgatitur një ditë më parë dhe i keni ruajtur në frigorifer
  • 5-6 petë të pjekura
  • 150 gr gjalpë
  • 2 vezë
  • 300-500 gr djathë i bardhë
  • Gjysmë gote uji ajkë qumështi
  • 2 gota uji qumësht
  • Kripë

Përgatitja

Në një tas të madh thyeni vezët dhe rrihini ato me ajkën e qumështit dhe pak kripë derisa të krijoni në masë të njëtrajtshme.

Më pas shtoni djathin e bardhë të cilin duhet ta thërrmoni para se ta shtoni tek tasi me përzierjen.

Tavën lyejeni me gjalpë të shkrirë dhe shtroni katër petat e njoma, duke i spërkatur me gjalpë dhe qumësht.

Me petat e pjekura do të veproni ndryshe. AgroWeb.org ju sugjeron që t’i thërrmoni ato dhe t’i shtroni në mes të tavës.

Pasi të keni mbaruar me petët hidhni tani përzierjen me djathin dhe vezët në mes duke e përhapur në mënyrë të njëtrajtshme.

Kur të mbaroni edhe me mbushjen në fund e ka radhën qumështi të cilin duhet ta përzieni me gjalpin e shkrirë.

Për ta pjekur duhet që furrën ta keni ngrohur në 180-200 gradë Celsius dhe ta lini për të paktën 30 minuta.

Kur sipërfaqja e tij të ketë marrë një ngjyrë të artë atëherë përpeqi është gati.

Lëreni pak të ftohet dhe të mpikset dhe më pas priteni e shërbejeni të ngrohtë duke  shoqëruar me turshi apo sallatë me perime të freskëta./AgroWeb.org