Petulla në Plloçë – Receta e Shijshme Korçare

3.2k 0

Mund ta keni dëgjuar këtë recetë e cila është pjesë e traditës korçare.

AgroWeb.org e sjell në këtë formë sipas këshillave të një prej ndjekësve të tij.

Petulla në plloçë njihet ndryshe edhe me emrin petulla të fshira dhe është një recetë fantastike.

Emërtimi plloçë vjen nga fakti që petat shtrohen porsi plloçat e oborrit apo pllakat.

Gjithashtu emri lidhet edhe me faktin se petat ngjeshen njëra me tjetrën.

Ndiqni me kujdes mënyrën e përgatitjes së amvisës nga Korça dhe shijojeni me familjarët tuaj.

Përbërësit

  • 1,5 kg miell
  • 250 gr gjalpë
  • Kripë
  • 300g djathë të bardhë
  • 6 thelpinj hudhra
  • Ujë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni një tas të madh për përgatitjen e brumit të kësaj recete.

Aty sitni miellin dhe shtoni gradualisht ujin.

Brumi duhet të dalë njësoj si i krepave apo i palaçinkave, nëse dëshironi mund të hidhni edhe pak kripë.

Në zjarr ndërkohë vendosni një tigan të sheshtë i cili nuk ngjit që të ngrohet.

Lyejeni lehtë tiganin me gjalpë dhe hidhni aty një garuzhde me brumin e përgatitur.

Hapeni në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe lëreni që të piqet.

Kur të shihni që anët e petës kanë marrë ngjyrë të artë të lehtë, ose që kanë filluar të thahen, ktheheni petën nga ana tjetër.

AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni një spatul në mënyrë që të mos prishet forma e petës.

Kur ta keni pjekur edhe nga ana tjetër largojeni petën në një pjatë.

Vazhdoni të përsërisni këto hapa derisa të keni mbaruar me të gjithë brumin e përgatitur.

Tani është koha për të përgatitur gjalpin.

Shkrijeni atë tek tigani, hidhni gjithashtu edhe hudhrat e grira hollë dhe gjysmë gote uji.

Lëreni përzierjen që të kthejë valë dhe spërkateni me pak kripë.

Më pas largojeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet pak.

Në një tavë shtroni petat e përgatitura një e nga një duke i spërkatur me djathë të bardhë të thërrmuar.

Gjithashtu edhe me përzierjen me gjalpë dhe hudhra që përgatitët pak mëparë.

Priteni piten e formuar në rombe, kështu do ta kini me të lehtë për ta shërbyer.

Kur të keni mbaruar me të gjitha shtresat, futeni tavën në furrë të ngrohur me 250 gradë për 10-15 minuta.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur, shërbejeni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallata, perime të pjekura apo edhe mish të pjekur./AgroWeb.org