Pite Shtëpie me Kos – Të Buta, të Ngrohta Plot Shije

18.1k 0

Pitet e përgatitura nga amvisat shqiptare janë padyshim gatimi më i preferuar i të vegjëlve ashtu si edhe të rriturve.

Të mbushura me gjizë a me djathë, me qepë e domate, me mish grirë a me spinaq pitet ofrojnë një shije fantastike që të përfshin tërësisht duke të ndezur dëshirën për t’i konsumuar sa më parë.

Ideale për t’i konsumuar në mëngjes por edhe në çdo moment të ditës, ashtu si edhe për t’ua dhënë fëmijëve me vete në shkollë apo për t’i marrë edhe vetë gjatë pushimit të punës.

Pitet janë ndër gatimet më speciale që kuzhina shqiptare ofron.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën tipike të amvisave shqiptare për përgatitjen e piteve në shtëpi, një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen.

Përgatitja e Piteve të Shtëpisë 

Përbërësit 

  • ½ kg miell
  • 200 gr kos
  • Gjysmë luge kafeje me sodë buke
  • Kripë
  • Vaj për skuqje

Përgatitja 

Në një tas të madh hidhni miellin dhe hapni një gropë në mes. Shtoni aty kosin, hidhni kripën si dhe sodën dhe përzjejini mirë me duar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe një kokërr vezë gjatë punimit të brumit me dorë.

Kur brumi është shndërruar në një masë kompakte të butë dhe  jo të thatë, mbulojeni me një pecetë kuzhine.

Lëreni që të pushojë për një orë në një ambjent disi të ngrohtë.

Më pas, ndajeni brumin në toptha të vegjël. Në tavolinën e punës në kuzhinë nisni t’i hapni ato përmes një petësi në formë të rrumbullakët në madhësinë që dëshironi.

Pasi e keni shtruar petën, piten kalojeni për skuqje nga të dyja anët.

Nëse preferoni, para se t’i skuqni, kur i keni hapur mund t’i shtoni brenda pak gjizë apo mbushje të tjera sipas preferencës.

Pasi keni shtuar mbushjen, paloseni piten dhe bashkoni mirë me anë të një piruni të dyja anët e pites në mënyrë që të mos dalë mbushja gjatë skuqjes.

Më pas skuqini në një tigan me pak vaj (për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org u sugjeron të përdorni vaj ulliri).

Përmes kësaj recete do të mund të përgatisni rreth 10-12 pite./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.