Pulë e Pjekur me Lakër Arme – Tradita Fantastike në Tryezë

1.1k 0

Kulinaria shqiptare spikat në shijen e saj në çdo gatim.

Receta të kripura e të ëmbla tradicionale mahnisin me shijet dhe aromat e tyre duke tërhequr këdo drejt tryezës.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së pulës me lakër arme, një traditë fantastike e nënave dhe gjysheve shqiptare, e cila të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Receta e saj është shumë e thjeshtë në përgatitje si dhe është ideale për një drekë të plotë dhe të shijshme.

Përgatitja e Pulës së Pjekur me Lakër Arme

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 1 pulë 1 kg
  • 1 kokërr qepë mesatare
  • 2-3 lugë gjelle me vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle me salcë domate
  • 1-2 gjethe dafine
  • Një tas i madh me lakër arme
  • Kripë
  • Piper
  • Spec djegës (sipas dëshirës)

Përgatitja

Pula e prerë në thela ose nëse preferoni mund ta lini edhe të paprerë, vendoset në një tenxhere në zjarr dhe kaurdiset me vaj ulliri dhe me pak gjalpë.

Në vijim shtohet qepa e grirë hollë, salca e domates, kripa, piperi dhe dafina.

Për më shumë shije nëse preferoni mund të shtoni edhe pak spec djegës.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që t’i kaurdisni të gjitha bashkë dhe më pas t’i hidhni ujë derisa thelat e mishit të mbulohen.

Lihet të ziejë derisa mishi i pulës të zbutet dhe të mbetet me pak lëng.

Më pas, thelat e mishit të pulës me lëngun e mbetur kalojini në një tavë ose tepsi.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju këshillon që të prisni lakrën arme të rripa apo copa të vogla dhe ta shtoni në tavën me mishin e pulës.

Futeni tavën në furrën e parangrohur dhe lëreni të piqet derisa lakra arme të zbutet dhe të mbetet me shumë pak lëng.

Ky gatim special shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, me sallata jeshile, rukola apo edhe bukë të thekur, salcë kosi, djathë si dhe perime të ndryshme të marinuara me limon e vaj ulliri./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.