Qofte të Pjekura me Patate dhe Kunguj – Të lehta dhe të Shëndetshme

3.4k 0

Një kombinim perfekt mes butësisë së brumit të patateve dhe freskisë që japin kungujt.

Jo vetëm të shijshme, por këto qofte të pjekura me patate dhe kunguj janë të kombinueshme me çdo gjë tjetër.

Mund t’i shoqëroni me sallatë, salcë domatesh të përgatitur vet në shtëpi, apo dhe të shtruara në tavë me krem qumështi.

Janë ideale për t’u përgatitur në çdo kohë të ditës, madje pëlqehen nga të gjithë.

Përbërësit

  • 250g patate
  • 250g kunguj
  • 1 vezë
  • Lëkura e gjysmës së një limoni
  • 5-6 lugë gjelle me bukë të thekur të thërrmuar
  • Gjysmë gote me djathë kaçkavall
  • 3-4 lugë gjelle majdanoz
  • Gjysmë qepe të grirë hollë
  • Piper të zi
  • Kripë

Përgatitja

Hapi i parë i kësaj recete fillon me zierjen e patateve derisa ato të jenë zbutur.

Ndërkohë që patatet i keni lënë në zjarr, merruni me kungujt.

Qërojini dhe filloni t’i grini në rende sa më hollë.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i largoni ujin e tepërt që kjo perime mban duke i shtrydhur lehtë me letër kuzhine.

Kungujt e shtrydhur vendosini në një tas të madh që të jenë gati për përgatitjen e qofteve.

Kur patatet të jenë zbutur, kullojini dhe shtypini.

Për të shtypur patatet AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni shtypësin apostafat për këtë punë.

Por mund të përdorni edhe kulloren dhe një lugë.

Pasi t’i keni shtypur bashkojini me kungullin e grirë.

Ndërkohë shtoni vezën e rrahur lehtë më parë, qepën, majdanozin, djathin, lëkurën e limonit, 5 lugë gjelle me bukë të thekur.

Në fund mos harroni të hidhni kripën dhe piperin e zi sipas dëshirës për t’i dhënë shijen që kërkoni.

Më pas përzjejini sa më mirë përbërësit derisa të formoni një brumë të plotë e të njëtrajtshëm.

Por kini kujdes që të mos e tejkaloni me përzierjen pasi përbërësit mund të lëshojnë ujë.

Ngrohni furrën në 200 gradë dhe përgatisni një tavë për pjekjen e qofteve.

AgroWeb.org ju këshillon që përmes një luge gjelle të merrni pak nga brumi i përgatitur dhe me duar t’i jepni formën e topthave.

Vendosini në tavë dhe shtypini me lugë, për t’i dhënë dhe formën e tyre të sheshtë.

Spërkatni me bukë të thekur sipërfaqen e tyre dhe piqini për 30-35 minuta.

Pasi të jenë pjekur lërini pak të ftohen dhe shërbejini me tarator, salcë kosi apo dhe thjeshtë me sallatë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.