Receta Klasike Shkodrane e Lakuriqit me Kungull

9k 0

Një recetë tradicionale e qytetit të bukur të Shkodrës.

Përveç tavës me krap, çorbës, jahnisë me kumbulla shahine, haxhimakules apo tespixhes, Shkodra ka traditë edhe ‘lakuriqin’.

Shumë veta e njohin edhe si byrek i zbuluar, por emrin karakteristik e ka marrë pasi ky byrek nuk ka petë.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën e thjeshtë për ta përgatitur në mënyrë që ta shijoni në familje.

Përbërësit për 6 persona

  • 300g kunguj të njomë
  • 200g miell
  • 50g djathë sipas dëshirës
  • 100ml vaj ulliri
  • 1 kokërr qepë
  • 4 vezë
  • Kripë
  • Piper i zi
  • Nenexhik i freskët

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të lani me ujë të bollshëm të gjitha perimet që ju duhen për recetën.

Më pas merrni kungujt dhe largojuni bishtat për t’i prerë kështu në feta të holla të rrumbullakëta.

Qepën nga ana tjetër duhet ta grini sa më hollë. Nëse përdorni renden mundohuni që t’i largoni ujin që do të lëshojë.

Tani vjen pjesa e kombinimit të përbërësve për të përgatitur kështu recetën e lakuriqit.

Në një tas të madh hidhni kungujt e prerë, qepën, djathin, vajin kripën dhe piperin e zi.

Ndërkohë në një tas tjetër rrihni vezët me miellin derisa të formoni një masë kremoze.

Këtë masë hidheni tek kungujt dhe mundohuni që me një lugë t’i përzieni.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni masën derisa të shihni që që të gjithë kungujt janë lyer me masën e brumit.

Merrni një tavë qelqi ose blate dhe aty do të shtroni brumin që përgatitët.

Mundohuni që ta përhapni në mënyrë të njëtrajtshme, pra trashësia të jetë uniform, pasi ndikon tek pjekja.

Pasi të jeni siguruar që keni krijuar një shtresë të drejtë futeni tavën për t’u pjekur në furrë të ngrohur me 200 gradë.

Lëreni të piqet tava për 40-45 minuta, ose derisa të shihni që sipërfaqja ka marrë një ngjyrë të artë.

Pasi ta nxirrni nga furra lëreni të ftohet pak dhe të mpikset para se ta prisni për ta shërbyer./ AgroWeb.org