Receta e Shijshme e Tavës me Kumbulla Shahine

1.3k 0

Është pikërisht sezoni i kumbullave shahine, frutat me shijen e tyre fantastike të athët e majhoshe.

Disa preferojnë t’i konsumojnë thjeshtë si fruta, disa të tjerë i shoqërojnë me kripë, por për amvisat ato shndërrohen edhe në disa receta të shijshme gatimi, siç është tava me mish e kumbulla shahine.

Është një recetë fantastike pjesë e gatimeve nga amvisat shqiptare.

Një gatim special me një shije unike, kombinuar me më të freskëtat që ofron stina kumbullat shahine dhe qepët e njoma.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org recetën fantastike të këtij gatimi të veçantë, i cili padyshim do të kënaqë shijen e gjithë familjes.

Përgatitja e Tavës me Kumbulla Shahine

Përbërësit

  • 4-5 thela mish qengji ose viçi (sipas preferencës)
  • 300 gr kumbulla shahine
  • 6-7 qepë të njoma
  • 1 kokërr qepë e thatë
  • 4 lugë vaj ulliri
  • Kripë
  • Majdanoz
  • Kopër
  • Piper

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org  ju udhëzon të prisni hollë qepën e thatë dhe ato të njoma.

Më pas vendosni në një tenxhere me vaj ulliri dhe kaurdisini derisa volumi i tyre të bjerë.

Shtoni thelat e mishit dhe vijoni t’i kaurdisni, më pas shtoni kumbullat, kripën, piperin, majdanozin dhe koprën e prerë hollë.

Kaurdisini të gjitha bashkë për pak minuta e më pas hidhni ujë derisa të gjithë përbërësit të mbulohen.

Lërini të zjejnë derisa uji të shterojë në gjysmë e më pas transferojini në një tavë balte ose në një tavë tjetër pjekjeje.

Futini të piqen në furrë të parangrohur në 180 gradë derisa tava të mbetet me lëngun e vet.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës.

Vlerat e Kumbullave Shahine

Kumbulla Shahine përmirëson sistemin tretës dhe forcon trupin që të jetë më rezistent ndaj sëmundjeve.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org ato ruajnë shëndetin e zemrës, parandalon ngritjen e kolesterolit në gjak, atakun në zemër, çrregullimet e rrahjeve të zemrës.

Këto fruta ndihmojnë sistemin tretës, lëvizjen dhe pastrimin natyral të zorrëve.

Ndihmojnë shëndetin e sistemit nervor, përmirësojnë kujtesën, largojnë stresin, përmirësojnë gjumin dhe oreksin./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.