Sekretet e Gatimit Perfekt të Sarmës me Lakër të Bardhë

3.6k 0

Sarma është një specialitet fantastik dhe i hershëm i amvisave shqiptare dhe atyre të Ballkanit që trashëgohet dhe pasurohet brez pas brezi.

Sarma me lakër është padyshim një gatim që ndez të gjitha shqisat e shijes dhe dëshirës.

Gatimi i saj tingëllon shumë i lehtë. Fundja, çfarë mund të ketë kaq të vështirë se të mbushësh një fletë lakër me mish e oriz?

Kjo ide është e gabuar.

Gatimi i sarmës kërkon durim dhe kohë.

Amvisat që janë lexuese besnike të AgroWeb.org kanë ndarë me ne sekretet e thjeshta të gatimit të sarmës.

Sipas tyre, gatimi perfekt i sarmës ka dy elementë bazë të cilët duhen respektuar me fanatizëm.

Sekreti i parë qëndron tek përzierja e mishit, orizit dhe erëzave për të paktën 10 minuta.

Përzierja duhet bërë me duar dhe ky minutazh është i domosdoshëm që të gjithë përbërësit të marinohen me njëri tjetrin dhe të përthithin veçoritë e më të mirat e njëri tjetrit.

Sekreti i dytë është zierja.

Zierja e lakrës duhet bërë në zjarr të ngadaltë.

Ndoshta është kjo arsyeja që amvisat thonë se sarma nuk është një gatim që mund ta nisësh në orën 10 të mëngjesit e ta përfundosh në mesditë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën më të mirë të sarmës me lakër të bardhë.

Përbërësit:

  • 1 lakër mesatare
  • 1 kg mish viçi i grirë
  • 4-5 kokrra qepë mesatare
  • 1 filxhan çaji oriz
  • Gjysëm luge gjelle me kripë
  • Një lugë çaji piper të zi pluhur
  • Një lugë gjelle gjalpë pa kripë
  • Një lugë gjelle me salcë domate.
  • 4-5 lugë vaj ulliri

Përgatitja:

Grijmë qepët hollë.

Mishin e grirë e hedhim në një tas të thellë.

Lajmë orizin, e kullojmë dhe e shtojmë tek mishi.

Hedhim piperin, qepën e grirë shumë hollë, kripën dhe vajin e ullirit.

I përziejmë me dorë për 10 minuta,

Ndërkohë vendosim lakrën e plotë në një tenxhere me ujë dhe pak kripë të marrë një valë sa të zbuten gjethet e lakrës.

Pasi të jenë zbutur i ndajmë një e nga një ndërsa kërcellin e hedhim.

Fletët e lakrës i shpëlajmë me ujë të ftohtë dhe i vendosim në një kullesë.

Ndajmë 4-5 fletë mënjanë.

Pastaj marrim një fletë lakër dhe hedhim nga një lugë gjelle me mbushje

E mbështjellim dhe i vendosim në një tas të thellë.

Pastaj marrin një tenxhere të madhe, hedhim pak vaj vegjetal dhe sipër vendosim disa gjethe lakre.

Sipër tyre vendosim sarmat një e nga një deri sa të mbushet tenxherja.

Të gjithë sarmat i mbulojmë me gjethe të plota lakre.

Sipër tyre hedhim dy lugë vaj ulliri.

Vendoseni tenxheren në zjarr pa shtuar ujë.

Ndërkohë sapo të marrë valë lëngu i lëshuar nga lakra, ulim temperaturën.

Sarmat duhen zier në zjarr të ngadaltë për deri në dy orë.

Herë pas here fusim lugën e drurit në anët e tenxheres  për të kontrolluar nëse lakra është ngjitur në tenxhere.

Në një tigan, hedhim një lugë salcë domateje dhe një lugë gjalpë të butë pa kripë.

I kavërdisim lehtë dhe shtojmë një gotë me ujë dhe pak kripë.

Të gjithë masën e hedhim sipër sarmave, duke u siguruar që të gjitha anët e sarmave janë të spërkatura me ujin me salcë.

Sarma duhet zier deri sa i gjithë uji të avullojë në zjarr të ngadaltë.

Më pas atë mund ta servirni të ngrohtë.

Nëse ju mbetet sarmë për të nesërmen, ngroheni në tigan duke hedhur dy-tre lugë gjelle me ujë të pijshëm./AgroWeb.org