Si të Përgatisni Recetën Fantastike të Troftës me Arra

1.4k 0

Receta që ju sugjerojmë sot është pak më ndryshe se ato që zakonisht përgatisim me peshk në familjet tona.

Peshku zakonisht ose e skuqim ose e pjekim me perime, por AgroWeb.org ju sugjeron që ta përgatisni me një mbushje me arra.

Perfekt në shije dhe në aromë, kjo recetë do t’i dhurojë kënaqësi të gjithë familjes suaj.

Thjesht ndiqni hapat e përgatitjes dhe do të mrekulloni shqisat tuaja me këtë pjatë perfekte

Përbërësit

  • 1 kg peshk troftë
  • 150g arra
  • 1 qepë
  • 1 lugë çaji piper i kuq i bluar
  • 3-4 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i zi

Përgatitja

Si fillim pastroni peshkun dhe më pas thajeni me letër kuzhine që të jetë gati për marinim.

Spërkateni me pak kripë dhe piper të zi dhe lëreni në një pjatë ndërkohë që përgatisni mbushjen.

Vendosni në zjarr një tigan dhe aty ngrohni vajin e ullirit.

Ndërkohë keni grirë sa më imët qepën dhe hidheni për ta skuqur.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes me skuqjen e qepës, pasi ajo duhet të jetë thjesht transparente, pra pa marrë ngjyrën e thellë të artë.

Pasi të shihni që qepa është gati shtoni arrat të cilat ose i keni grirë ose i keni shtypur.

Hidhni gjithashtu edhe piperin e kuq dhe lërini që të skuqen për disa minuta.

Merrni një tavë dhe spërkateni me vaj ulliri aty vendosni peshkun të cilin e marinuat.

Largoni tiganin nga zjarri dhe me përzierjen me qemë dhe arra mbushni troftën.

Nëse ju tepron mbushje mund t’ia hidhni sipër peshkut tuaj.

Spërkateni edhe me pak vaj sipërfaqen e troftës dhe futeni për ta pjekur në furrë të ngrohur me 200 gradë.

Piqeni peshkun për 1 orë, duke u kujdesur që të mos thahet por të qëndrojë i butë.

Pasi të jetë gati, peshkun mund ta shoqëroni me sallatë jeshile me domate e kastravecë.

Por gjithashtu edhe me patate të skuqura apo perime të skarës.

Kjo recetë është perfekte për të sjell një ndryshim në familjen tuaj duke i mrekulluar me shije dhe aromë.

Peshku do të jetë i butë dhe arrat krokante, duke bërë një kombinim perfekt./AgroWeb.org