Si të Përgatisni Gjalpin e Tretur – Mënyra e Duhur

2.5k 0

Gjalpi i tretur nuk është asgjë tjetër veçse gjalpë i cili nuk ka përmbajtje uji apo proteinat e qumështit.

Tradita e përdorjes së këtij gjalpi është goxha e vjetër dhe pjesë e pandalshme e kulinarisë shqiptare.

Mund të keni parë gjyshet apo nënat më së shumti që kur përgatisni baklavanë apo kadaifin  që si fillim e tresin gjalpin.

Diçka e tillë jo vetëm për shijen por edhe për cilësinë e ëmbëlsirës.

Por recetat e gjalpit të tretur nuk ndalojnë vetëm tek këto dy ëmbëlsira klasike.

Duke qenë se ky lloj gjalpi është pa laktozë, ujë dhe mbetje të tjera qumështi, ai është më lehtësisht i tretshëm nga trupi ynë.

Nga ana tjetër, gjalpi i tretur është i pasur me acide yndyrore të ngopura dhe vitamin të cilat janë shumë me vlerë për organizmin.

Nëse gatuani me këtë product ju do të nxisni tretjen, do ndihmoni në largimin e toksinave si dhe do i dhuroni trupit nutrientët e duhur.

Për më tepër është perfekt si për skuqje si për pjekje, pasi temperatura e djegies është më e lartë se ajo e vajit apo gjalpit të zakonshëm.

Përbërësit

  • 500g gjalpë pa kripë
  • Një napë
  • 2 kavanoza qelqi

Përgatitja

Gjithçka që duhet të bëni është të merrni një tigan që nuk ngjit dhe aty të hidhni gjalpin.

Vendoseni tiganin në zjarr mesatar dhe lëreni që të tretet plotësisht gjalpi.

Kur të shihni që gjalpi i shkrirë të ketë formuar një shkumë në sipërfaqe, ulni flakën dhe lëreni që të ziejë ngadalë.

Gjalpi duhet të ziejë për të paktën 25 minuta, ndërkohë që ju largoni shkumën që formohet herë pas here.

Kur të ketë kaluar koha e nevojitur largojeni tiganin nga zjarri dhe lejojeni që të ftohet.

Ngjyra e gjalpit të tretur duhet të jetë e artë dhe e pastër pa copëza të djegura.

Kullojeni gjalpin e tretur me napën disa herë në mënyrë që të largoni çdo mbetje të qumështit.

Kalojeni gjalpin e tretur në kavanozat tuaj dhe lëreni që të ftohet plotësisht dhe ruajeni në temperaturë ambienti.

Kështu mund ta ruani deri në 3 muaj, për një ruajtje më të gjatë deri në 12 muaj, AgroWeb.org ju këshillon që ta vendosni në frigorifer.

Gjalpi do të ngrutësohet Brenda disa orëve në varësi të temperaturës./AgroWeb.org