Supë e Shijshme me Salmon – Shëndet dhe Aromë

4.6k 0

Supa e peshkut ka me dhjetëra mënyra për t’u përgatitur.

Disa e preferojnë me domate, të tjerë me perime, e ndërsa disa zgjedhin përmes shijes së peshkut.

AgroWeb.org sot ju sugjeron ta përgatisni supën e peshkut me salmon.

Përveç shijes kjo supë është perfekte për organizmin pasi siç e dimë salmoni përmban acidet yndyrore më të nevojshme për trupin.

Edhe pse mund t’ju duket e vështirë, në fakt kjo supë përgatitet fare lehtë dhe për vetëm 30 minuta.

Ndiqni hapat e shpjeguar mëposhtë dhe provojeni për t’u mrekulluar me shijen e saj unike.

PËRBËRËSIT

  • 300g peshk salmon
  • 3-4 patate
  • 1 presh
  • 100 ml pana kuzhine
  • kripë, piper
  • arrë myshku
  • kopër
  • limon
  • 2 lugë gjelle me gjalpë

PËRGATITJA

Për të përgatitur këtë supë të shijshme si fillim nisni me grirjen në rrathë të hollë të preshit.

Më pas vendosni një tenxhere në zjarr dhe skuqeni atë me gjalpë derisa të zbutet. Zëvendësimi i qepës me presh, i jep një shije akoma edhe më të ëmbël dhe pak djegëse supës.

Ndërkohë qëroni dhe prisni patatet në kubikë të vegjël dhe skuqini bashkë me preshin.

Jepini shije me kripë, piper të zi apo të kuq sipas preferencës, pak arrë myshku dhe në fund hidhni 2 gota me ujë.

Lëreni tenxheren me perimet që të ziejë për 10 minuta, kështu i jepni patateve mundësinë që të zbuten plotësisht.

Salmonin, AgroWeb.org ju sugjeron që ta prisni në copa të vogla dhe ta shtoni tek tenxherja.

Kur ajo të ketë filluar të kthejë valë shtoni edhe 2 gota të tjera me ujë.

Sapo të formohen bulëza në sipërfaqen e ujit shtoni panën dhe përziejeni ngadalë.

Lëngu duhet të trashet dhe të mos jetë transparent.

Kur ta shërbeni hidhini kopër të grirë dhe pak lëng limoni nëse preferoni./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.