Speca të Marinuar me Uthull dhe Majdanoz – Receta e Arbana Osmanit

2.8k 0

Arbana Osmani është një personazhet e njohur të ekraneve Shqiptare me një pasion të jashtëzakonshëm për gatimin.

Këtë ajo e ka shprehur prej vitesh tashmë, duke publikuar edhe dy libra enkas për gatime të ndryshme të cilat ajo vetë i përgatit e i sugjeron.

Herë pas here këto receta nuk nguron t’i ndajë edhe me ndjekësit e saj në rrjete sociale.

Këtë herë moderatorja ka zgjedhur të tregojë mënyrën e saj të përgatitjes së specave me uthull e majdanoz.

Duket një mënyrë mjaft interesante dhe e shëndetëshme që përgatitet për vetëm 30 minuta, ndaj ju sugjerojmë që ta ndiqni. 

Përbërësit

  • 500 gr speca të kuq
  • 2-3 thelpinj hudhër
  • 1 tufë majdanoz
  • 3-4 lugë uthull molle
  • vaj ulliri
  • kripë

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë lani specat dhe vendosni ato në një tavë të shtruar me letër pjekje.

Tavën më pas futeni në furrë dhe lërini specat të piqen për 30  minuta.

Pasi të shikoni që janë pjekur mirë, futini në një qese për 15 minuta në mënyrë që të ftohen dhe t’ju hiqet lëkura me lehtë, shpjegon Arbana në recetën e saj.

Kur ti nxirrni nga qesja hiqni me kujdes lëkurën e specave dhe farat e tyre, duke i vendosur të pastruar në një enë.

Ndërkohë përgatisni salcën për marinimin.

Në një mikser hidhni një tufë majdanoz të pastruar, hudhrën dhe vaj ulliri, po aty shtoni edhe uthull molle apo uthull balasmike.

Arbana sugjeron këto dy lloje në bazë të dëshirës tuaj dhe asaj çfarë ju ndodhet në shtëpi.

Më pas përzieni mirë në mikser, derisa të gjithë përbërësit të kenë marrë trajtën e një salce të lëngëshme.

Kur të jetë gati, hidhjani specave tuaj sipër, përziejini me pak kripë dhe lërini në frigorifer të marinohen për minumumi gjysmë ore.

Më pas mund ti konsumoni duke i shoqëruar me bukë të bardhë dhe djathë, njejtë siç bëri moderatorja pas përgatitjes së tyre.

Ajo tregon për ndekësit e saj se shija ishte e mrekullueshme dhe problemi i vetëm ishte se nuk mund të pushonte së ngrënuri këtë pjatë./AgroWeb.org