Speca të Mbushura me Lakër Turshi – Receta e Shijes Fantastike

4.3k 0

Turshi më fantastike se specat e mbushura me lakra nuk ka.

Shija e tyre lezetos gjithë tryezën e çdo gatim në të sidomos tani në vjeshtë e dimër që po vjen por edhe gjatë gjithë vitit.

Ideale për shoqërimin e supave e gjellrave të ndryshme, byrekëve apo mishrave të pjekur etj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e mrekullueshme të përgatitjes së specave të mbushura me lakër turshi.

Një recetë e thjeshtë, e lehtë në përgatitje e që do t’ju kënaqë nepsin dhe oreksin përgjatë gjithë vitit.

Përgatitja e Specave të Mbushura me Lakër Turshi

Përbërësit

  • 3 kg speca
  • 1 lakër e madhe
  • 5-6 karrota
  • Piper i zi kokërr
  • 200 ml uthull
  • 2 lugë gjelle kripë
  • 1 filxhan çaji vaj ulliri

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani specat përgjysmë ose t’u hiqni kapakun me kujdes duke larguar njëkohësisht edhe farat.

Vendosini në një enë të madhe, mbulojini me ujë të nxehtë dhe lërini mënjanë.

Nga ana tjetër, AgroWeb.org ju udhëzon të grini lakrën, bashkë me karrotat, kriposini mirë, përzjeini dhe lërini të pushojnë përreth 1 orë.

Më pas, kullojini lakrat nga lëngu i tyre dhe mbushni specat me to.  Lëngun e lakrave ruajeni për më vonë.

Specat e mbushur me lakrat dhe karrotat e grira vendosini me rradhë në kavanoza qelqi, të cilët më parë duhet të jenë të sterilizuar.

Shtoni në secilin prej kavanozave disa kokrra piperi të zi.

Ndërkohë në një tenxhere, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni dy litra ujë dhe lëngun e lakrës që keni lënë mënjanë dhe vendoseni në zjarr të zjejë derisa uji të vlojë, shtoni njëkohësisht me ujin edhe uthullën dhe dy lugë gjelle kripë.

Kur uji të vlojë shtoni dhe vajin e ullirit.

Me masën e përgatitur, pasi të jetë ftohur mbushni secilin prej kavanozave ku keni specat e mbushur me lakrat dhe karrotat.

Mbyllini kavanozët fort dhe tundini nga poshtë lart herë pas here. Ruhen në një vend të freskët dhe hapini pas 3-4 javësh./AgroWeb.org