Speca të Mbushura me Mish të Grirë – Shije dhe Shëndet në Tryezë

3.4k 0

Recetat me speca janë fantastike në çdo mënyrë gatimi.

Të pjekura, të skuqura, turshi e gjellë të ndryshme ato të kënaqin nepsin dhe oreksin me shijen e tyre.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së specave të mbushura me mish të grirë apo me kimë.

Në fakt, tradita e amvisave është ajo e përgatitjes së specave të mbushura me oriz, e cila mbetet një nga recetat më të preferuara të shqiptarëve por të mbushura me kimë, specat shndërrohen në një gatim me të vërtetë special.

Fantastike për t’u shijuar dhe shumë të thjeshta për t’u përgatitur në shtëpi.

Ideale për një vakt të shijshëm dreke por edhe darke, specat e mbushura kombinohen në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës por edhe me zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare.

AroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së specave të mbushura me mish të grirë.

Specat e Mbushura me Mish të Grirë   

Përbërësit

  • 5-6 speca për mbushje
  • 2 kokrra mesatare qepë
  • 250 gr mish i grirë
  • kripë, piper
  • 1 tufë majdanoz
  • 3-4 kokrra mesatare domate
  • Disa thelpinj hudhër
  • 100 gr djathë kaçkavall i grirë
  • 4-5 lugë salcë domatesh
  • Rigon

Përgatitja

Specat zgjidhen me tul dhe të mëdha, lahen, u pritet bishti në formë kapaku, u hiqen farat.

Kalohen në një skuqje të lehtë me vaj ulliri dhe vendosen me rradhë në tavë duke u hedhur pak kripë.

Në një enë me vaj ulliri kaurdiset qepa e grirë hollë. Pasi volumi i qepës të bjerë shtoni domatet e grira hollë dhe kaurdisini për pak minuta.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni mishin e grirë dhe hudhrat dhe kaurdiseni derisa masa të mbetet në yndyrën e saj.

Hidhni kripën, piperin, majdanozin, rigonin dhe ujë dhe lërini të zjejnë për 15 minuta.

Lëreni gjellën të zjejë përgjysmë, kur ta hiqni nga zjarri ajo duhet të jetë e lëngshme.

Nëse preferoni në vend të majdazonit mund të përdorni edhe kopër.

Me masën e përgatitur mbushni specat me rradhë.

Nëse u tepëron nga masa e mbushjes pasi të keni mbushur specat hidhjani tavës rreth e rrotull specave bashkë me 4-5 lugë gjelle me salcë.

Në fund tavës hidhini dhe pak kripë, pak lëng mishi ose ujë dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur 200 gradë celsius.

10 minuta para se të fikni furrën ku po piqen specat spërkatini me djath kaçkavalli të grirë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.