Supë Brokoli me Qumësht – E Pasur në Shije dhe Vlera

5.9k 0

Supa me brokoli dhe qumësht është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë.

Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin ndër perimet e gjelbra më të shëndetshme.

E kombinuar në një recetë supe me qumësht dhe e gatuar me disa përbërës të tjerë po aq të shëndetshëm siç është vaji i ullirit apo edhe patatet e karrotat, kjo pjatë është e mbushur plot me vlera shëndetësore krahas shijes së lehtë të saj.

Ndiqni më poshtë recetën e AgroWeb.org për supën me brokoli, për ta përgatitur atë krejt lehtë në shtëpi.

Si Ta Përgatisni Në Shtëpi

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 400 gr brokoli
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 presh mesatar (përdorni vetëm pjesën e bardhë)
  • 2 karrota
  • 1 patate mesatare
  • 700 ml lëng i nxehtë pule ose perimesh
  • Kripë
  • Majdanoz
  • Piper
  • 1 lugë gjelle miell
  • 200 ml qumësht

Përgatitja 

Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.

Preshim e grijmë hollë, patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.

Në një tenxhere hedhim një lugë gjelle vaj ulliri e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë preshin e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.

Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.

Shtojmë lëngun e nxehtë të pulës ose perimeve dhe i lëmë të zjejnë bashkë përreth 30 minuta.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni degëzat e brokolit 6 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.

Në fund, vendosni një tigan në zjarr, kaurdisni miellin me pak gjalpë. Sapo mielli nis të zverdhet shtoni qumështin dhe përziejeni mirë dhe pa ndërprerje në mënyrë që të mos krijohen kokërriza.

Masën e krijuar me qumësht hidhjani supës dhe lërini në zjarr të marrin një valë për 4-5 minuta duke i përzjerë vazhdimisht.

Hiqeni nga zjarri dhe sipas preferencës mund ta fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.

Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.

E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me vajin e ullirit dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar.

Nëse preferoni, kur ta servirni, supës mund t’i hidhni pak djathë kaçkavall të grirë apo karrota të vogla të grira, të freskëta, por edhe të ziera sipas preferencës./AgroWeb.org