Supë e Ngrohtë me Presh dhe Oriz – Shije dhe Shëndet në Tryezë

7.9k 0

Një gatim special, i mrekullueshëm i kombinimit të një prej perimeve më të freskëta të stinës, preshit.

Një pjatë plot shije dhe vlera ushqyese gjithashtu.

Ideale për ditët e freskëta të vjeshtës dhe fantastike në kombinimin e saj me sallata të freskëta të stinës apo gatime të tjera siç janë mezet shqiptare që lezetosin tryezën me shijet e tyre të larmishme.

Ashtu siç një mënyrë fantastike e shoqërimit të kësaj gjelle tipike shqiptare janë edhe turshitë e ndryshme, e veçanërisht ato me lakër të bardhë apo patëllxhanë.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tradicionale të supës me presh dhe oriz, një mënyrë fantastike për ta përgatitur krejt lehtë në shtëpi e për ta shijuar me gjithë familjen.

Receta e Vjetër e Jahnisë Me Presh 

Përbërësit

(Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuhet. Receta më poshtë është për 4-5 persona. Kjo recetë gatuhet pa mish, por në preferoni mund ta përgatisni edhe me mish.) 

  • 1 kg presh të freskët
  • 1 karrotë
  • 4-5 lugë vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë
  • 1 filxhan çaji me oriz
  • 1 lugë gjelle salcë domatesh
  • Kripë
  • Piper
  • Pak spec djegës
  • 1 gjethe dafine (nëse preferoni)
  • Limon

Përgatitja 

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni preshin me ujë të rrjedhshëm.

Priteni përmes një thike në copa të pjerrëta me gjatësi 1-2 centimetra.

Edhe karrotën qërojeni dhe priteni në kubikë të vegjël.

Në tenxhere kaurdisen qepët me vaj ulliri, shtohet preshi dhe karrota dhe vijon kaurdisja derisa volumi i tyre të bjerë.

(Në rastin kur e përgatisni me mish, si fillim kaurdisni qepët me mishin dhe më pas vijoni me pjesën tjetër).

Hidhet salcë domatesh, pak spec i kuq djegës dhe përzihen lehtë herë pas here.

Shtoni kripën, gjethen e dafinës, piperin e zi dhe shtoni ujë derisa të mbulohet.

Lërini të zjejnë sa preshi të zbutet dhe më pas shtoni orizin.

Mbulohet me kapak dhe lihet të zjejë në zjarr të ngadaltë derisa supa të jetë gati. Në fund nëse preferoni mund ta spërkasni me pak lëng limoni dhe majdanoz të grirë hollë./AgroWeb.org  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.