Supë Frikase me Pulë – Përgatisni Recetën në Mënyrën më të Mirë

10.3k 1

Supa frikase me pulë është një ndër traditat më të hershme të kuzhinës shqiptare.

E përgatitur nën kujdesin dhe mjeshtërinë e nënave dhe gjysheve tona, kjo supë e lehtë, është  fantastike për t’u gatuar për një vakt të shijshëm dreke.

Supa Frikase ka pak përbërës, mish pule, vezë, kos dhe erëza. Por të kombinuar së bashku në një recetë supe këto përbërës ofrojnë një pjatë shijeplotë që të kënaq stomakun dhe shpirtin.

Frikaseja me pulë është një pjatë ideale për të luftuar simptomat e virozave.

Kjo pjatë shoqërohet në mënyrë fantastike me sallatat e freskëta të stinës, siç janë sallata jeshile, spinaqi, domatet e kastraveca.

Por gjithashtu, kjo supë është e mrekullueshme për t’u shoqëruar edhe me byrekë të ndryshëm shtëpie si dhe gatime të tjera tradicionale ose jo.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë të përgatitjes së kësaj supe fantastike në shtëpi.

Përgatitja e Supës Frikase në Shtëpi

Përbërësit

  • Një pulë e vogël ose zog fshati
  • Një kokërr vezë
  • 100 ml kos (në vend të kosit mund të përdorni edhe qumësht)
  • 2 lugë gjelle miell
  • Dy lugë vaj ulliri vaj ulliri
  • Një lugë gjalpë
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz
  • Lëngu i kokërr limoni

Përgatitja

Pastrojeni pulën mirë dhe lajeni me ujë të rrjedhshëm.

Më pas kriposeni dhe vendoseni në një tenxhere që të zjejë.

Ndërsa mishi i pulës është duke zjerë, në një tigan hidhni një lugë vaj ulliri dhe pak gjalpë. Shtoni miellin , lëreni të skuqet duke e përzjerë. Më pas hiqeni nga zjarri dhe hollojeni me pak nga lëngu i pulës (3-4 lugë).

Lëreni mënjanë dhe në një enë rrihni vezën dhe kosin. Hidhni aty edhe miellin dhe përzjeini bashkë derisa të njëtrajtësohen.

Pasi pula të ketë zierë, marrim lëngun dhe e hedhim në një tenxhere të thellë.

Shtojmë aty miellin me kosin dhe vezën, duke e përzierë vazhdimisht që të mos krijohen kokrra.

E vendosim tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe e lëmë të zjejë për pak minuta duke vijuar ndërkohë ta përzjejmë.

Më pas pulën e zjerë, e presim në copa  dhe për më shumë shije mund ta skuqim me pak gjalpë para se ta shtojmë në tenxhere.

Në fund, supës i hedhim lëng limoni, piper dhe majdanoz të freskët të grirë hollë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.