Tavë me Presh dhe Qumësht – Receta e Thjeshtë me Shije Perfekte

6.7k 0

Kuzhina shqiptare është fantastike në shijet e larmishme që ofron.

Receta të ëmbla dhe të kripura, shije plota e të lehta kënaqin nepsin dhe oreksin e gjithkujt që i provon.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë mënyrën e përgatitjes të tavës me presh dhe qumësht, një recetë e mrekullueshme e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi.

Kjo tavë shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme etj.

Një gatim fantastik që do mbledhë me siguri gjithë familjen rreth tryezës.

Përgatitja e tavës me presh

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 1 kg presh
  • Pak gjalpë të freskët
  • Vaj ulliri
  • Majdanoz,
  • Kripë,
  • Piper i zi,
  • Dy feta bukë të thekur të thërrmuar

Për masën e qumështit 

  • 3 gota qumësht
  • 3 kokrra vezë
  • 5-6 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë ose djathë i bardhë
  • Kripë
  • Piper

Për masën e qumështit: Rrihni në një tas të madh vezët, shtoni qumështin, kripën, piperin e zi dhe djathin përzjeini derisa masa të njëtrajtësohet.

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tenxhere të hidhni pak vaj ulliri dhe gjalpë të freskët.

Shtoni preshin e pastruar dhe të prerë në rrathë nga një 1 cm.

Hidhni kripë dhe piper të zi dhe kaurdiseni derisa volumi i preshit të bjerë. Shtoni një gotë me ujë dhe kaurdiseni herë pas here derisa uji të avullojë dhe preshi të zbutet.

Më pas shtroni në tavë, në të gjithë sipërfaqen e saj bukën e thekur të thërrmuar, më pas, shtroni preshin që keni përgatitur dhe zierë, më pas djathin e thërrmuar dhe në fund masën e qumështit, spërkateni sipër me pak vaj ulliri e gjalpë të freskët.

Futeni të piqet në furrë të parangrohur derisa sipërfaqja e tavës të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

Kjo lloj tave përgatitet me të gjitha llojet e perimeve të tjera, si me patëllxhanë, patate apo edhe kungulleshka etj sipas dëshirës./AgroWeb.org