Trahanaja më e Shijshme e Traditës – Si ta Përgatisni Vetë Hap Pas Hapi në Shtëpi

3.3k 0

*Nga Valbona Furrari Lasku

Kush ka provuar trahananë nga duart e mamit nuk gjen dot qasje me trahananë e blerë.

Momenti i përgatitjes së saj është gati si një festim në gjithë shkallën e mamit pasi komshiet e bëjnë njëherësh dhe ndihmojnë njera-tjetrën.

Është ajo periudhë e vitit ku mami Lika thotë nuk lëviz dot nga shtëpia se do zë trahananë, do shkërmoq dhe do thaj trahananë.

Është aroma e trahanasë që mbush shtëpinë dhe ti e ndjen që ora ka mbetur në vend dhe ti ndihesh prapë fëmijë. Është momenti i ndarjes së trahanasë me njerëzit e tu të dashur.

Një ushqim aq i thjeshtë, një vakt mëngjesor apo në darkë, që mbledh të gjithë rreth tavolinës për ta shijuar ashtu të ngrohtë me gjalpë të tretur, spec të kuq pluhur dhe djath.

Ky është version ynë i trahanasë që është shija e babit tim Vasilit.

Dhe fëmijët e mi e hanë si unë, mbi trahana ne shtojmë gjalpë të përvëluar, aromatizuar me piper të kuq pluhur dhe djath të bardhë. Lumturi shumë e madhe kur shija ecën ndër breza.

Shënim: Sasinë mund ta zvogëloni ose zmadhoni sipas dëshirës tuaj.

Këto janë sasia e përbërësve që përdor mami Lika. Të gjitha fotot në këtë postim janë bërë këtu e dy vjet më parë, me fotografe Denisën që e falenderoj shumë qe mes angazhimit me punët dhe fëmijët e saj gjente kohë t’i përgjigjej kërkesave të mia nga Tirana për të fotografuar trahananë në proçese të ndryshme. Denisa ka bërë dhe disa video që do i ndaj në Insta Story.

Përbërësit

20 kg miell i sapo bluar

10 kg qumësht lope që zihet i tëri kos

1 kg gjalp i tretur (siç bëjmë për bakllavanë)

1,5 kg kripë

Përgatitja

Për t’ua bërë më të thjeshtë, proçesin e përgatitjes së trahanasë do e ndajë në katër faza.

Faza e parë

Kjo është faza e punimit të brumit e cila fillon 3 ditë para ku qumështin e kemi zënë kos dhe e lëmë 3 ditë të thartohet.

Mami Lika thotë që kosi të thartohet ashtu siç e duam për trahananë i shtojmë kripë (nga sasia që keni tek përbërësit). Kripa ndihmon që kosi të thartohet më shpejt dhe siç duhet.

Meqë kemi sasi të madhe mielli i ndajmë të gjithë përbërësit në 4 apo 5 porcione të barabarta (pra 4 apo 5 tava në mes të shtëpisë) dhe fillojmë punojmë brumin.

Brumi duhet të jetë një brumë i fortë, aspak i butë ose i ngjitshëm.

Pasi kemi përgatitur gjithë sasitë e brumit në një thes pambuku që mami Lika e ka kastile për këtë punë vendosim topat e brumit njëri mbi tjetrin duke i shtypur me dorë.

Thesin e pambukut e vendosim mbi banak ose siç bën mami Lika e cila merr një tepsi e kthen përmbys në dysheme dhe mbi të vë thesin.

Hedhim kripën. Shtojmë gjalpin. Shtojmë kosin. I përziejmë. Më pas, fusim brumin në thes pambuku.

Faza e dytë

Në këto kushte trahanaja do rri 7 ditë.

Çdo ditë në mëngjes do e shtypni brumin fort me duar (sipër thesit) dhe do e ktheni brumin nga ana tjetër kur ta vendosni mbi banak ose tepsi në mënyrë që sipërfaqja e brumit që rri në krye mos të thahet nga temperaturat e larta të vapës.

Pra çdo ditë shtyp brumin me dorë dhe kthe nga ana tjetër për ta mbështetur thesin.

Faza e tretë

Pas 7 ditësh e nxjerrim brumin, e copëtojmë si në foto dhe e hapim për gjysmë dite mbi çarcaf apo mbulesë pambuku.

Proçesi që vjen më pas është proçesi i kalimit të trahanasë në shoshë (një lloj site me vrima më të mëdha se sita dhe më të ashpra.

Atëherë proçesi fillon me një person (komshie në rastin e mami Likës) që fillon e thërrmon copat e trahanasë si fillim mbi pecetën e pambukut dhe këto copëza kalojnë në shoshë duke siguruar në këtë mënyrë dendësinë e dëshiruar të kokrrës së trahanasë.

Faza e katërt

Pasi trahanaja ka kaluar e gjitha në proçesin e sitjes me shoshë, e hapim në një dhomë apo vend të sigurtë për 2 javë që ajo të thahet plotësisht dhe në këtë mënyrë evitojmë që të zëjë myk.

Pas 2 javësh trahanaja është gati për tu përdorur, shpërndarë dhe për t’u shijuar. Siteni edhe një herë dhe ruajeni trahananë tuaj në qese pambuku në një vend të freskët dhe të errët./AgroWeb.org

 

* Valbona Furrari Lasku është një food bloger, me karrierë të gjatë në komunikim dhe menaxhim biznesi, por edhe një pasionante e kuzhinës së mirë dhe e recetave të shijshme të gatimit. Ajo ka edhe blogun e saj Bonbon Taste, me receta të traditës por edhe të reja, të shijshme dhe mbi të gjitha të shëndetshme. Recetat e saj ajo ka vendosur t’i ndajë edhe për lexuesit e AgroWeb.org