Vezë me Gjizë – Tigania e Shijshme nga Duart e Nënave

2.7k 0

Traditë e mëngjeseve në çdo tryezë shqiptare. Fantastike për të nisur ditën shëndetshëm duke i ofruar trupit forcë dhe energji përgjatë gjithë ditës.

Ka shumë mënyra në gatimin e vezëve, të ziera, të rrahura, sy, omleta të kombinuara me perime të ndryshme gjithashtu. Por të përgatitura me gjizë të freskët, krahas shijes fantastike vlerat ushqyese të tyre janë të mëdha gjithashtu.

Është ndër gatimet më speciale të përgatitura nga duart e nënave, një recetë e shpejtë, që mbush gjithë shtëpinë me aromën e shijshme të saj.

Shoqërohen me bukë të thekur, qumësht por edhe domate e kastraveca të freskët.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e tiganisë me gjizë dhe vezë, një mënyrë fantastike për një mëngjes të shëndetshëm dhe plot shije.

Përgatitja e Tiganisë me Vezë e Gjizë

Përbërësit

  • 4 kokrra vezë
  • Vaj ulliri ose gjalpë të freskët
  • 5-6 lugë me gjizë të freskët
  • Kripë (nëse gjiza është pa kripë)
  • Piper

Përgatitja

Si fillim rrahim fortë vezët në një tas dhe i lëmë mënjanë.

Vendosim një tigan të thellë në zjarr, hedhim vaj ulliri ose gjalpë të freskët.

Shtojmë gjizën, e kaurdisim për pak dhe më pas shtojmë vezët e rrahura.

E rregulojmë me kripë dhe piper.

E lëmë skuqet shumë ose pak sipas dëshirës dhe e servirim në pjata.

Vlerat e vezëve me gjizë

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori.

Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Nga ana tjetër, gjiza është e pasur me proteina, kalçium dhe ushqyes të tjerë të shëndetshëm.

Gjiza është në ushqim i preferuar i njerëzve që tregojnë kujdes për shëndetin, atyre që vrapojnë, notojnë dhe ngrejnë pesha.

Kjo devotshmëri vjen sepse gjiza përmban sasi të mëdha të proteinës kaseinë dhe nivele tepër të ulëta të yndyrës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.