Buka me Qiqra dhe Vlerat e Saj Ushqyese

4.1k 0

Buka me qiqra është një bukë e shijshme, pa gluten dhe plot me lëndë ushqyese.

Kjo bukë është pjesë e ushqimeve tradicionale të lashta të Shqipërisë dhe Turqisë. Në vendin tonë, buka me qiqra ishte e njohur dhe prodhohej me shumë mjeshtëri në qytetin e Korçës.

Duke qenë se në ditët e sotme, mielli i qiqrave dhe buka e qiqrave po përjetojnë një rritje të popullaritetit, AgroWeb.org në këtë artikull ka menduar t’ju njohë më tepër me vlerat e saj ushqyese.

Vlerat Ushqyese Të Bukës Me Qiqra

  • Buka me qiqra përmban shumë fibra dhe proteina me bazë bimore. Të cilat ndihmojnë në rregullimin e oreksit dhe të mbajnë të ngopur për më gjatë. Përveç kësaj, qiqrat përmbajnë pothuajse të gjitha aminoacidet thelbësore, të cilat janë ideale për marrjen optimale të proteinave.
  • Mund të menaxhojë më së miri glukozën në gjak, për shkak të përmbajtjes së fibrave. Kjo është veçanërisht e dobishme për njerëzit me prediabet dhe diabet.
  • Ushqyesit në bukën e qiqrave janë mangani (i cili mund të ndihmojë në kontrollimin e niveleve të sheqerit në gjak), folati (i rëndësishëm për gratë shtatzëna), si dhe bakri dhe hekuri (të dyja të nevojshme për formimin e qelizave të kuqe të gjakut). Ju gjithashtu do të merrni shumë lëndë ushqyese të tjera të dobishme, si magnezi, fosfori dhe kaliumi.
  • Për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet celiake dhe ata me intolerancë ose ndjeshmëri ndaj glutenit, buka e qiqrave është një alternativë e shkëlqyer, pasi ajo nuk përmban gluten.
  • Ndërsa për entuziastët e dietave keto, buka me qiqra është një opsion i shkëlqyer, pasi ka më pak karbohidrate sesa një fetë mesatare e bukës.

Disa Mënyra Për Të Shijuar Bukën ME Qiqra

Mënyra më e lehtë dhe praktike për të shtuar bukën e qiqrave në dietën tuaj është duke bërë sanduiçin tuaj të preferuar. Gjithashtu ju mund ta thekni dhe ta shijoni duke e shoqëruar me gjizë, avokado ose me vezë.

Një mënyrë tjetër është ta përdorni si një bazë pice, duke e mbushur me përbërësit e ngjashëm të picës, të tilla si domatet qershi dhe djathi parmixhano.

Çfarë Duhet Të Kini Kujdes!

– Disa njerëz kanë tendencë të ndiejnë natyrshëm shqetësime kur hanë bishtajore. Prandaj ata mund të ndiejnë efekte anësore nga kjo bukë, pasi ajo bëhet nga mielli i bishtajoreve.

– Nëse nuk jeni mësuar të konsumoni sasi të larta fibrash, këshillohet të rrisni ngadalë marrjen e tyre në mënyrë që trupi juaj të përshtatet më mirë.

– Gjithashtu këshillohet të qëndroni të hidratuar, për të ndihmuar fibrat të lëvizin më lehtë nëpër trup.

– Ruajeni bukën e qiqrave në një enë hermetike, në temperaturë dhome për dy deri në tre ditë, ose në frigorifer deri në një javë. Pas kësaj, buka duhet të hidhet.

Por ju gjithashtu mund ta mbështillni fort dhe ta ruani në frigorifer për disa muaj./AgroWeb.org