Disa Mënyra Si të Shijoni Hurmat e Arabisë Në Çdo Vakt

2k 0

Në ditët e sotme origjina e saktë e palmës së hurmës mbetet e mbuluar me mister, hulumtimet dëshmojnë se ajo është kultivuar që në vitin 4000 para Krishtit dhe ka zënë rrënjë shpejt në pjesë të ndryshme të botës.

Jo më kot pema që i prodhon këto kokrra të shijshme është cilësuar si ‘pema e jetës’ nga qytetërimet e lashta.

Hurmat e Arabisë janë të shëndetshme, të mbushura me vitamina dhe minerale thelbësore dhe të njohura si një burim i jashtëzakonshëm i fibrave. Ndërsa nivelet e larta të sheqernave natyrale, janë një burim i madh energjie. Këshillohet që të shijohen në moderim, konsumimi i tre deri në pesë kokrrave në ditë mjafton për të korrur përfitimet e dëshirueshme shëndetësore.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me disa mënyra të thjeshta dhe shumë të shijshme se si t’i përfshini ato në vakte të shëndetshme.

Si të shijoni hurmat e Arabisë

Ju mund t’i konsumoni në çdo kohë të ditës dhe t’i përdori gjithashtu si një zëvendësues natyral i sheqerit të bardhë në një sërë recetash. Një nga mënyrat më të mira është t’i shtoni në pijet e preferuara të frutave.

Por, ju gjithashtu mund t’i përfshini në një tas me tërshërë ose shijoni si një vakt i lehtë pas stërvitjes. Një tjetër mënyrë interesante është duke i kombinuar në sallatë.

Hurmat e copëtuara janë një shtesë e shkëlqyer për sallatat me gjethe jeshile, sallatat me drithëra dhe ato perime. Ju gjithashtu mund të bëni me to toptha ëmbëlsirash të shëndetshme që nuk kanë nevojë për pjekje.

Mjafton të përpunoni hurmat në një mikser dhe të shtoni përbërës të tjerë, të tillë si tërshëra, gjapl arrorësh, farat kia, shqeme dhe copësa arre kokosi. Formoni me masën toptha të vegjël dhe lërini në frigorifer për një orë përpara se t’i konsumoni.

Mënyra më e thjeshtë se si mund t’i shijoni është duke i shoqëruar me arrorë të tillë si lajthitë. Në botë, kuzhinierët e talentuar i përfshijnë hurmat në pjata të ndryshme në një sërë mënyrash të reja dhe inovative.

Mos harroni që kur të përfundoni vaktin tuaj dhe të shërbeni filxhanin me kafe, shoqërojeni atë me 1 kokërr hurmë Arabie. /AgroWeb.org