Japrak me Spinaq – Nga më të Mirat e Traditës Shqiptare

2.7k 0

Një recetë me produktet më të shëndetshme të prodhuara nga toka shqiptare.

Spinaq, labot, nenë dhe erëza e mrekullueshme e nenexhikut, e kombinuar në një ndër gatimet më speciale dhe të shijshme të kuzhinës shqiptare, japrakët.

Fantastik kur përgatiten me gjethe rrushi apo lakër të bardhë por padyshim edhe version i tyre i përgatitur me spinaq është i mrekullueshëm.

Një mënyrë krejt e shëndetshme për t’u ushqyer shëndetshëm dhe për t’i dhuruar organizmit mirëqenie.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së japrakëve krejt lehtë në shtëpi sipas traditës së nënave dhe gjysheve shqiptare.

Përgatitja e Japrakëve me Spinaq në Spinaq

Përbërësit

  • 30-35 gjethe spinaqi
  • 3 gota miell misri
  • 1 dorë qepë të njoma
  • 2 duar labot dhe nenë
  • 3 filxhan kafeje vaj ulliri
  • Nenexhik
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Për përgatitjen e japrakut me spinaq përzgjidhen gjethe të mëdha dhe të njoma (llogariten 7-8 gjethe për person).

Pasi lahen me ujë të rrjedhshëm, gjethet kalohen në ujë të ngrohtë me kripë sa të zbuten.  Më pas hapen në tavolinën e punës për t’u bërë gati për mbushje.

Përgatitja e mbushjes

Bishtat e qepëve të njoma grihen hollë së bashku me nenë, labot, kopër dhe nenexhik, majdanoz dhe shtypen me duar, sa të lëshojnë lëngun e tyre.

Mielli i misrit sitet dhe vihet në një tenxhere. Shtohen kripë, ujë i nxehtë dhe vaj ulliri.

Masa përzihet dhe përgatitet një brumë i butë.

Në të shtohen qepët e përgatitura, kripë dhe përzihen.

Përgatitja e Japrakëve

Gjethja vendoset në dorën e majtë dhe në të vendoset mbushja me lugë.

Pasi mblidhen anët e gjethes në formë rolete ngjishet me dorë.

Në një tenxhere shtrohen disa gjethe spinaqi dhe vendosen japrakët e ngjeshur njëri pas tjetrit (jo më tepër se 2-3 reshta).

Sipër u vendoset një pjatë (që të mos hapen kur u hidhet uji) dhe mbi të hidhen kripë, vaj ulliri dhe ujë sa të dalë mbi pjatë. Japrakët lihen të zjejnë.

Shërbehen të ngrohta dhe shërbehen me kos, dhallë apo tarator./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.