Kungulleshka me Vezë për Mëngjes – Shije e Lehtë dhe Shëndet i Mirë

3.7k 0

Omleta është gjithmonë zgjedhja e duhur për një mëngjes të shëndetshëm.

Në ka një gatim që qendron në krye të recetave për një mëngjes të shijshëm, plot vlera ushqyese e të shëndetshme pa asnjë dyshim ato janë omletat.

Të kombinuara me perime të ndryshme, të miksuara apo thjeshtë me një prej tyre, spinaq a brokoli, lulelakër a patate, omletat, përbërësi kryesor i të cilave janë vezët përbëjnë një mënyrë ideale për të nisur ditën shëndetshëm.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji.

Recetat e këtij gatimi të thjeshtë janë të shumëllojshme.

Këtë mëngjes AgroWeb.org jua sjell të kombinuar me një perime plot vlera, si kungulleshka.

Përbërësit

  • 500 gr kungulleshka
  • 6 vezë
  • 80 gr djathë i bardhë i thërrmuar
  • 2 lugë gjelle me majdanoz të grirë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i zi

Përgatitja

Pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm kungulleshkat, AgroWeb.org ju sugjeron t’i prisni në feta sa më të holla.

Më pas vendosini në një letër kuzhine, në mënyrë që të përthithet lagështira që ato kanë.

Në një tas përzieni vezët, djathin e thërrmuar dhe majdanozin. Më pas i shtoni kripën dhe piperin sipas dëshirës.

Vendosni tiganin në zjarr të lartë, dhe hidhni aty vajin e ullirit.

Si fillim shtoni fetat e kungulleshkave, dhe kthejini herë pas here që të marrin një ngjyrë neutrale.

Ky proces mund të zgjasë rreth 6-8 minuta në varësi të trashësisë së fetave të kungulleshkave.

Kur kungulleshkat të jenë gati, hidhni përzierjen e vezëve.

Sigurohuni që përzierja të përhapet në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe të kenë mbuluar kungulleshkat.

Lëreni në zjarr deri sa veza të ketë filluar mpiksjen.

Në këtë moment, AgroWeb.org ju sugjeron që të ulni temperaturën e nxehtësisë dhe të mbuloni tiganin me një kapak për 10 minuta.

Hiqeni nga zjarri tiganin dhe kthejeni me kujdes në një pjatë.

Kjo omletë është e përshtatshme për katër persona. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.