Lakër e Plotë Turshi – Receta me Shije Fantastike

6.8k 0

Lakra turshi është ndoshta ndër turshitë më të preferuara të shqiptarëve.

Ajo u jep gatimeve të ndryshme një shije fantastike duke shoqëruar në mënyrë të shkëlqyer gjellë të ngrohta, byrekë shtëpie, e shumë e shumë recetave të tjera që amvisat përgatisin në shtëpi.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një recetë të veçantë të përgatitjes së lakrës së plotë turshi, një recetë e thjeshtë por që rezultati në fund është tërësisht fantastik.

E veçanta e kësaj recete është përgatitja e lakrës së plotë dhe të paprerë.

Përgatitja

Nëse do të përgatisni këtë recetë atëherë duhet të keni ose të gjeni një vazo të madhe mjaftueshëm në mënyrë që të ketë hapësirë mjaftueshëm për futjen e lakrave të plota.

Lakrat lahen dhe pastrohen.

Gjethet e para të tyre hiqen dhe lakrat nue dëshironi mund t’i ndani edhe në dysh.

Kërcelli i mesit hiqet dhe zona e lënë bosh mbushet me një lugë gjelle me kripë.

Më pas lakrat vendosen kokë lart në fuçi mesatare ose vazo të mëdha sipër njëra tjetrës.

Ena përzgjidhet në varësi të sasisë së lakrave turshi që do përgatisni.

Pasi i keni vendosur lakrat në enën përkatëse, ato lejohen të rrijnë ashtu për 24 orë dhe më pas fuçia mbushet me ujë të pijshëm.

Nëse keni 2-3 lakra shtoni një kokërr limoni të paprerë.

Ose, lakrat e plota pa ua prerë kërcellin mund t’i vendosni në enën që keni përzgjedhur dhe ujin që do t’i shtoni në fillim ziejeni me kripë e më pas hidhjani lakrave në momentin që uji është i vakët.

Fuçia ose vazoja mbyllet në mënyrë hermetike dhe hapet vetëm pas 21 ditësh.

Ajo duhet ruajtur në vend shumë të ftohtë siç është bodrumi ose ballkoni.

Kjo recetë përgatitet edhe në enë më të vogla, mjafton që të mbushet me lakra dhe ujë njëlloj si mënyra më sipër.

Ndërkohë lakrën turshi mund ta grini dhe ta marinoni me vaj ulliri e lëng limoni duke shoqëruar në gatime të ndryshme tradicionale ose jo./AgroWeb.org