Receta e Mrekullueshme e Omëletës me Patëllxhanë dhe Domate

1.9k 0

Omëletat gjithmonë janë një zgjidhje e shpejtë dhe e shijshme për një darkë të lehtë.

Mjafton që të shtoni perimet tuaja të preferuara dhe omëleta klasike kthehet në një pjatë të plotë.

AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni kombinimin e patëllxhanëve dhe domateve për një përfundim aromatik dhe me shije fantastike.

Përbërësit për 4 persona

  • 8 vezë
  • 350g patëllxhanë
  • 40g djathë kaçkavall
  • Kripë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 300g domate qershi
  • 2 qepë të njoma
  • Borzilok
  • Piper i zi
  • Vaj për skuqje

Përgatitja

Nisni me përgatitjen e patëllxhanëve duke i larë me ujë të bollshëm dhe duke hequr pjesën e bishtit.

Më pas pritini në kubikë të vegjël dhe skuqini lehtë në një tigan me pak vaj ulliri.

Kur të keni mbaruar me skuqjen e tyre lërini në një pjatë me letër kuzhine, kështu largohet yndyra e tepërt.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju sugjeron që të vazhdoni me përgatitjen e perimeve të tjera.

Grini hollë qepët e njoma, ndërsa domatet qershi pritini në dy pjesë.

Tek tigani ku skuqët patëllxhanët shtoni edhe pak vaj ulliri dhe hidhni qepët e njoma.

Lërini të skuqen pak dhe më pas shtoni domatet qershi duke u dhënë shije me kripë dhe piper të zi.

Mundohuni t’i përzieni sa më pak që forma e domateve të mos prishet.

Kur të shihni që qepët dhe domatet janë skuqur shtoni copat e patëllxhanit gjithashtu edhe borzilokun e grirë.

Ndërkohë në një tas rrihni vezët duke i bashkuar me djathin kaçkavall.

Nëse dëshironi AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni edhe djathin e bardhë për një shije akoma edhe më speciale.

Pasi ta keni përzierë mirë masën kalojeni në tigan mbi perimet.

Lëreni të skuqet për 2-3 minuta dhe më pas mbulojeni tiganin me kapak duke e lënë në zjarr të ulët.

Me këtë metodë omëleta do të piqet me avujt e saj duke e bërë më të shëndetshme dhe me shije perfekte.

Pasi të kenë kaluar 5-6 minuta kthejeni omëletën nga ana tjetër duke përdorur një pjatë.

Lejojeni që të skuqet lehtë edhe nga ana tjetër dhe më pas mund ta shërbeni për të dashurit tuaj./AgroWeb.org