Role me Miell Misri e Mbushur me Spinaq

2.9k 0

Një shije krejt e veçantë e cila do t’ju lëri të kënaqur.

Bashkimi i mbushjes kremoze me miell misri dhe petave krokante ka për t’u pëlqyer që të gjithë familjarëve tuaj.

Hapat e përgatitjes së saj janë shumë të lehtë gjithashtu dhe pjekja nuk kërkon kohë të gjatë, ndaj është perfekte për ta provuar që sot.

Përbërësit:

  • 500g peta byreku
  • 200g miell misri
  • 2 vezë
  • 200ml kos
  • 200ml qumësht
  • 100 ml vaj ulliri
  • kripë
  • 200 g djathë
  • 200 g spinaq

Përgatitja:

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni mbushjen e roleve.

Në një tas hidhni vezët dhe rrihini me pak kripë derisa të bashkohet e bardha me te verdhën.

Shtoni ngadalë kosin, 100ml qumësht dhe vajin e ullirit.

Në këtë moment do të keni një salcë të plotë të cilës do t’i shtoni miellin e misrit ndërkohë që e përzieni.

Në fund shtoni dhe spinaqin dhe djathin e bardhë të thërrmuar apo nëse preferoni djathë kaçkavall të grirë.

Mbushjen lëreni në frigorifer ndërkohë që përgatisni petët.

Kutitë e petëve të gatshme zakonisht kanë rreth 13-14 petë, ndaj dhe ju ndajini në 4 pjesë.

Merrni grupin e parë të petëve dhe spërkatini me vaj ulliri dhe pak qumësht në mënyrë që të njomen.

Merrni mbushjen dhe krijoni një shtresë të hollë mbi sipërfaqen e petëve.

Mbështilleni me kujdes petën në mënyrë që mbushja të mos bjerë.

Cilindrin e formuar, AgroWeb.org ju këshillon që ta vendosni në një tavë të lyer me pak vaj ulliri.

Përsërisni këto hapa derisa të keni mbaruar me mbushjen dhe petët.

Spërkateni sipër përsëri me qumësht dhe pak vaj ulliri dhe piqeni në furrë të ngrohur me 200 gradë derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Më pas mjafton t’i nxirrni nga furra,  t’i lini të ftohen e më pas t’i shërbeni roletë tuaja./AgroWeb.org