Zakonisht omëletën e përgatisim të skuqur, pasi kërkon më pak kohë por edhe është shumë e thjeshtë.
Por të skuqurat sigurisht që nuk janë të shëndetshme, ndaj dhe AgroWeb.org merr shkas për t’ju treguar një metodë ndryshe.
Po aq e lehtë dhe pa mundim sa dhe omëleta klasike, por do t’ju duhet ta piqni.
Lexoni shkurt hapat e përgatitjes dhe shijojeni që sot pasi do t’ju japi energji gjatë gjithë ditës.
Përbërësit
- 6 vezë
- 600 g lulelakër
- 100g djathë kaçkavall
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- Pak kripë
Përgatitja
AgroWeb.org ju sugjeron që fillimisht të ndizni furrën në 180 gradë kështu do të shkurtoni kohë.
Tani filloni të pastroni lulelakrën duke e qëruar dhe ndarë në tufëza të vogla.
Shpëlajeni mirë dhe futeni në një tenxhere të mbushur me ujë.
Lëreni tenxheren të ziejë në zjarr mesatar për 3-4 minuta.
Pasi uji të ziejë largojeni menjëherë lulelakrën dhe futeni në një tas me ujë të ftohtë.
Një proces i tillë nuk lejon që lulelakra të zbutet më shumë seç duhet.
Tani ju ka mbetur vetëm të rrihni vezët dhe t’i përzieni me tufëzat e lulelakrës dhe djathin.
AgroWeb.org ju sugjeron që me një letër kuzhine të thani mirë ujin e tepërt që mund të kenë mbledhur copat e lulelakrës.
Tregoni kujdes kur t’i përzieni me vezët pasi nuk dihet që t’i thërrmoni.
Shtoni vajin e ullirit dhe kripën sipas dëshirës dhe kalojeni në tavën që keni përzgjedhur.
Mos e drejtoni me lugë apo pirun, por tundeni lehtë tavën derisa tufëzat e lulelakrës të jenë drejtuar.
Futeni për ta pjekur në furrën e ngrohur më parë për 15-20 minuta.
Vezët do të mpiksen e të piqen shumë shpejt, ndërkohë që lulelakra do të marrë shijen perfekte.
Nëse e dëshironi pak më krokante këtë recetë mund ta përgatisni dhe me lulelakër të freskët.
Vetëm AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni një gotë qumësht për të ndihmuar në pjekjen e lulelakrës.
Pasi të jetë pjekur lëreni të ftohet pak dhe shërbeheni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallatë të freskët./AgroWeb.org