Drejtori i OBSH në Evropë paralajmëron: Fushatat e vaksinimit COVID janë shumë të ngadalta

196 0

Mes varianteve të reja që janë edhe më shumë të transmetueshme, fushatat e vaksinimit në Evropë janë akoma shumë të ngadalta, kjo ishte deklarata e drejtorit rajonal europian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Hans Kluge tha në një intervistë për AFP (Agence France-Presse) se “pandemia do të mbarojë kur të arrijmë një vaksinim minimal të 70% të popullsisë”.

Sipas ECDC (Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve), Europa ka rritur sasinë e vaksinimit gjatë muajve të fundit, me të paktën një dozë të vaksinës COVID që u është injektuar përafërsisht 41% të të rriturve në Europë.

Kishte një mesatare prej 18.6% të të rriturve të vaksinuar plotësisht, sipas deklaratës së ECDC.

“Në një pandemi, shpejtësia është thelbësore”, tha Kluge, duke theksuar se shpejtësia është pikërisht ajo që ka munguar që prej fillimit të pandemisë.

“Edhe kur OBSH shpalli pandeminë, shumë vende ishin ende në pritje, pa marrë asnjë masë. Ne humbëm kohë të çmuar,” shtoi Kluge.

Gjatë intervistës për AFP, drejtori i OBSH në Europë paralajmëroi se varianti indian është edhe më i transmetueshëm se ai britanik.

Kluge shprehu shqetësimin se njerëzit e lënë kujdesin dhe vigjilencën pas në momentin që kanë marrë dozën e parë ose edhe të dytë të vaksinës, duke harruar se pandemia nuk ka mbaruar.

“Mos i jepni kohë shtesë, le ti japim kartonin e kuq COVID-19, le të kemi kujdes”, ishte thirrja e Hans Kluge, teksa apeloi për përshpejtim të fushatës së vaksinimit duke sjellë në vëmendje gjithashtu se OBSH po vijonte studimin e vaksinës kineze dhe asaj ruse.