UNICEF u bën thirrje vendeve të pasura të dhurojnë vaksina

378 0

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara UNICEF ka kërkuar nga Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës, i njohur si G7, dhe Bashkimi Evropian që të dhurojnë vaksina për vendet e varfra.

UNICEF është e ngarkuar me furnizimin e vendeve të varfra me vaksinave kundër koronavirusit përmes programit COVAX, të drejtuara bashkërisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (GAVI).

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore, tha se dhurimi i dozave të tepërta “është një masë thelbësore dhe emergjente e cila është e nevojshme tani”.

Fore tha në një deklaratë se G7 dhe vendet e BE-së mund të dhurojnë rreth 153 milionë doza nëse ndajnë vetëm 20 për qind të furnizimit të tyre që e kanë në dispozion gjatë muajit qershor, korrik dhe gusht.

Fore tha se një donacion i tillë mund të ndihmojë për të parandaluar vendet e pambrojtura të bëhen zona tjetër e nxehtë globale e shpërthimit të virusit.

“Jemi të shqetësuar se rritja vdekjeprurëse në Indi është një pararendëse e asaj që do të ndodhë nëse paralajmërimet nuk merren parasysh”, tha ajo.

Vendet anëtare të G7-ës: Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë gjatë muajit të ardhshëm një samit në Britani të Madhe.

India ka frenuar eksportet e vaksinës AstraZeneca dhe ka vendosur që dozat t’i përdorë brenda vendit.

UNICEF vlerëson se do të ketë një mungesë prej rreth 140 milionë dozash në fund të majit dhe rreth 190 milionë në fund të qershorit.

India, ndërkohë, më 17 maj raportoi 281,386 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit. Ky vend shënoi 4.106 viktima të reja./Burimi:Top Channel