Vlora Nën Kërcënimin e Erozionit – Deti Depërton Thellë Në Zonat e Plazhit

507 0

Vija bregdetare nga fundi i Plazhit të Vjetër deri në afërsi të Tri Portit çdo vit humbet sipërfaqe plazhi nga hyrja e detit në tokë, por dhe duke rrëzuar pishat shumëvjeçare. Ata që e njohin mirë këtë zonë tregojnë se deti ka përparuar afro 100 metër, tani duke rrezikuar edhe pishat shumëvjeçare.

“Na vjen keq si është katandisur, të parët i mbollën i selitën dhe u rregullua mrekullisht territori, tani po prishen. Jo vetëm këtu por edhe në thellësi, pemët priten, i papastër pylli,” – tha një banor i qytetit të Vlorës.

“Kam 50 vjet që peshkoj, ka shumë ndryshime, pishat janë rrëzuar. Deti ka ardhur dhe i merr të gjitha pemët përpara. Duhet të ketë një barrierë mbrojtëse. Sapo ka 4-5 ballë det uji vërshon në mes të pishave,” – u shpreh ndërkohë një peshkatar.

Sipas specialistit të mjedisit Simo Ribaj kjo gjendje është kritike në të gjithë vijën bregdetare dhe shkak për këtë janë ndryshimet klimaterike.

“Ndryshimi në vite është i dukshëm sepse situata këtu është katastrofë. Duke shtuar pemët mund të rikuperojmë situatën. Hartimi i projekteve të posaçme për ruajtjen e pyjeve është t’i themi stop zjarrëvënies. Edhe pse ka pasur nisma shoqatash për mbjelljen e pemëve ata që e kanë për detyrë siç janë vendimmarrësit duhet të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme pasi nuk do të ketë kthim mbrapa dhe dëmet do të jenë të paparashikueshme”, shprehet zoti Simo Ribaj, Specialist mjedisi.

Përgjegjësi i sektorit të pyjeve dhe kullotave pranë bashkisë Vlorë, Llazar Gjoncaj tha se ende nuk ka një projekt por janë duke u bërë studime të mirëfillta për t’i dhënë zgjidhje situatës. 

“Është rreth një kilometër zona në fund të plazhit të vjetër ku ka vite të tëra që është e ekspozuar e kjo duket qartë edhe në vijën e bunkerëve të mbrojtjes që ishin bëre në kohën e sistemit të kaluar të cilët sot ndodhen ne det. Ka filluar po futet edhe te rreshti i parë i brezit të parë të pishave. Është një shqetësim që ne e kemi e ndaj të cilit konkretisht nuk kemi marrë  ende masa por në vijim nëpërmjet një studimi të mirëfilltë dhe me eksperiencën nga vende të tjera do të mund të realizojmë një ndërhyrje”, pohon Llazar Gjoncaj, Përgjegjësi i sektorit të pyjeve dhe kullotave pranë bashkisë Vlorë.

Gërryerja e plazhit dhe brezit të gjelbër ka krijuar një situatë alarmante duke bërë që pishat 70 vjeçare të përfundojnë në det, por dhe plazhi të zhduket nga viti në vit./AgroWeb.org