Nëse i keni parë në treg por keni hezituar t’i blini pasi në recetat tona nuk përfshihen shumë, AgroWeb.org ju vjen në ndihmë.

Angjinaret përveç se janë plot vlera për organizmin, kanë edhe një shije krejtësisht të veçantë.

Me recetën e sotme ju tregojmë një nga mënyrat më të thjeshta për të përfshirë këtë perime në regjimin tuaj.

E lehtë dhe perfekte për të shoqëruar edhe vaktet e rëndësishme të ditës, por mund të konsumohet edhe si një sallatë.

E butë aq sa duhet dhe me aromë fantastike, angjinarja e marinuar do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Përbërësit

4 angjinare

1 tufë me mente

1 thelbi hudhër

Kripë

Piper i zi

100ml vaj ulliri

250ml ujë

Një limon

Përgatitja

Për të përgatitur recetën, si fillim AgroWeb.org ju këshillon që t’i prisni limonin në gjysmë.

Ndërkohë në një tenxhere hidhni ujin e nevojitur dhe aty vendosni gjysmën e limonit.

Angjinaret pastrojini nga gjethet e jashtme duke i këputur lehtë me duar.

Në fund hidhni dhe bishtin dhe kështu keni pastruar dhe keni bërë gati angjinaret tuaja.

Bishtin mos e prisni plotësisht, thjesht qërojeni mirë që të mos ketë papastërti.

Merrni angjinaret dhe futini në tenxhere me kokat poshtë.

Sigurohuni që t’i vendosni një kapak plastik sipër, kështu do të qëndrojnë të zhytura në ujë.

Tani prisni menten sa më imët, hudhrën gjithashtu dhe bashkojini me angjinaret.

Spërkateni me pak kripë dhe përziejini lehtë pa prishur formën e perimes.

Shtoni në një tas vajin e ullirit, lëngun e limonit dhe piperin e zi.

Këtë përzierje shtojeni tek uji dhe ziejini angjinaret për 30 minuta në zjarr të ngadaltë.

Kur të jenë zbutur sa duhet AgroWeb.org ju sugjeron që t’i largoni nga tenxherja dhe t’i servirni.

Nëse dëshironi mund t’i hidhni pak vaj ulliri për më shumë shije, ose t’i shoqëroni me feta limoni./AgroWeb.org